E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Raport Progresi tregon zhvillimin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar në konferencën për media, pas takimit të 15-të të Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asociimit se axhenda për Integrime Europiane është prioriteti kryesor për qeverinë e vendit të tij. Qeveria kosovare dhe Komisioni Europian kanë mbajtur të martën takimin plenar të Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asocimit, i cili është një proces i rregullt i komunikimit të institucioneve të Republikës së Kosovës me strukturat e Bashkimit Europian. Në këtë takim është shqyrtuar Raporti i Progresit dhe janë nxjerrë përfundime të përbashkëta të qeverisë dhe Komisionit Europian për t'u implementuar në vitin 2009 si dhe janë trajtuar çështje të rëndësishme, që nga kriteret ekonomike, politike dhe standardet europiane. Sipas kryeministrit Thaçi, raporti i Progresit është në një vijë me interesat dhe angazhimet e Republikës së Kosovës për luftën kundër korrupsionit, ngritjen e standardeve europiane, sundimin e ligjit etj. "Komunikimi i rregullt dhe vlerësimi i arritjeve në Kosovë nga ana e BE-së janë të mirëpritura dhe të domosdoshme për vendin tonë. Ky bashkëpunim çon në rrugën më të shpejtë dhe të sigurt drejt anëtarësimit në BE", ka thënë ai. Thaçi po ashtu ka bërë të ditur se qeveria ka themeluar strukturat dhe mekanizmat, të cilat do të koordinojnë procesin e integrimit europian dhe ka shtuar se, qeveria do t'i përkrahë maksimalisht dhe në mënyrë të vazhdueshme këto struktura dhe mekanizma. "Do të angazhoj gjithë kabinetin tim qeveritar dhe institucionet e tjera për plotësimin e kritereve për anëtarësim në BE. Vetë procesi i Integrimit Europian është shumë i rëndësishëm për ne, ngaqë gjatë këtij procesi Republika e Kosovës përqafon parimet demokratike, rrit standardin dhe përmirëson jetën e qytetarëve të saj", ka thënë Thaçi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›