E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Suksesi në dialog, në dobi të dy shteteve

PRISHTINË-Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, tha sot pasdite se "Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë ende pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, me përkushtimet tona për fqinjësi të mirë, si parakusht i domosdoshëm për integrimet euroatlantike të Kosovës, edhe të vendeve tjera të rajonit".

Në kuadër të dialogut, shtoi ai, së fundi temë e diskutimit ka qenë edhe shuarja e strukturave paralele dhe krijimi i sigurisë dhe i asociacionit të komunave me shumicë serbe.
"Pas disa raundeve të takimeve, me ndërmjetësimin e shkëlqyeshëm të Baroneshes Ashton, kemi arritur afër marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dua të shpresoj se do të gjendet koha dhe momenti, si the rrethanat e përshtatshme për arritjen e marrëveshjes", theksoi kryeministri Thaçi.

Ai tha se, marrëveshja do të ndihmojë në konsolidimin dhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës, funksionimin e të gjitha institucioneve shtetërore në çdo cep të territorit të vendit dhe, në kuadër të kësaj, integrimin e plotë të serbëve në veri dhe gjithë atyre që jetojnë atje në institucionet e Kosovës dhe në gjithë mekanizmat institucionalë e shoqërorë.

"Marrëveshja do të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, do të krijohet ambient i sigurt edhe në veri dhe, do të punohet për shpërbërjen e të gjithë strukturave ilegale të sigurisë. Oferta për secilin qytetar të Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike është e thjeshtë dhe e qartë - Kosova është vendi i përbashkët dhe atë e kemi ndërtuar dhe po e ndërtojmë për të mirën tonë të përbashkët, pa dallime etnike, për të mirën edhe të atyre qytetarëve tanë në komunat në veri të Kosovës, jeta e të cilëve vazhdon të mbetet peng e grupeve të caktuara", u shpreh kryeministri kosovar.

Kryeministri Thaçi tha se, unë dua të besoj se edhe Serbia, është thellësisht e interesuar që në veri të Kosovës të sundojë rendi dhe ligji, dhe që komuniteti serb që jeton atje të zhvilloj jetë normale.

"Suksesi në këtë dialog, do të jetë në dobi të dy shteteve dhe mbi të gjitha të qytetarëve tanë. Nëse dialogu rezulton me sukses, nuk do të ketë humbës, por vetëm fitues", tha kryeministri i Kosovës.

Me fokus në pjesën veriore të Mitrovicës, u mbajt sot pasdite në Prishtinë takimi i radhës të Grupit Punues Sektorial të Qeverisjes, organizuar nga Ministria e Integrimeve Evropian, ku mori pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›