E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi-Žbogar: Misioni i BE për Kosovën evropiane

PRISHTINË-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Žbogar.

“Ne jemi pjesë e familjes evropiane, dhe që Kosova të bëhet evropiane, ne duhet të vazhdojmë reformat e thella demokratike”, tha Thaçi pas takimit.
Ai shtoi se “këto reforma nuk do të ndalen, vetëm sa do të rritet përgjegjësia edhe më tepër, e sidomos tashmë kur është hapur dialogu për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet kontraktuale dhe tregtare me BE-në, dhe procesi i shpejtë i anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim”.
Kryeministri Thaçi tha se në takim ishte biseduar për hapat e mëtejshëm mes institucioneve të Kosovës dhe institucioneve evropiane, si të afrohet Kosova më tepër drejt strukturave të Brukselit, si të implementohen të gjitha kriteret demokratike të domosdoshme në procesin integrues evropian, si të ketë një prezencë edhe më me ndikim, por edhe më pozitive të BE-së në Kosovë, si të ndërtojmë një Kosovë edhe më të fuqishme edhe më të konsoliduar demokratike dhe multietnike.

“Por, natyrisht edhe si të implementojmë çështjet e konkluzioneve të përbashkëta që kemi arritur nmes Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, me mbështetjen e SHBA-së, pra konkluzioneve të dialogut teknik që kemi arritur me Serbinë”, tha ai.
Thaçi shprehu besim të plotë se bashkërisht me Žbogar do të punohet maksimalisht për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, bashkëpunimit fqinjësor, gjithashtu duke theksuar se përvoja e Žbogar do të jetë shumë e mirëpritur për institucionet e Kosovës, në mënyrë që të lëvizet drejt perspektivës së sigurt evropiane.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Žbogar, pas takimit me kryeministrin Thaçi ka thënë se, “misioni i Bashkimit Evropian është që të ketë një BE të fortë këtu në Kosovë, në mënyrë që të ndihmojmë Kosovën të bëhet më evropiane, në mënyrë që ta ndihmojnë Kosovën të vijë në Evropë. Ky është misioni në të cilin unë do të punoj në këto tri vjet, së bashku me Qeverinë e Kosovës”.

“Mendoj se kemi filluar shumë mirë këtë vit, me fillimin e procesit të liberalizimit të vizave. Do të ketë më shumë vizita të komisonerëve në Kosovë, dhe më duket se do të ketë një dialog më të intensifikuar në shumë çështje mes Kosovës dhe BE-së këtë vit. Shpresoj se në fund të vitit kur Komisioni Evropian do të përgatisë një raport, ai do të jetë më pozitiv, dhe do të shohim arritjet që kemi bërë, e për të cilat duhet të punojmë, siç janë çështjet e tregtisë, sundimin e ligjit, sigurisht edhe për liberalizimin e vizave dhe shumë çështje tjera”, tha Žbogar.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Žbogar sot zhvillon takimet e para njohëse edhe me Presidenten, Atifete Jahjaga dhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›