Thaçi e Daçiq nesër në Bruksel

(E plotësuar) Takim mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel e ka konfirmuar edhe Zyra e kryeministrit të Kosovës.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe anëtarët tjerë të Delegacionit të Kosovës në dialogun ndërshtetëror për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pas kërkesës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Baroneshës Catherine Ashton, janë kthyer nga Aeroporti i Lubjanës për në Bruksel për të vazhduar takimet në kuadër të dialogut”, thuhet në një komunikatë të Kryeministrisë.
Delegacioni shtetëror i Kosovës, i udhëhequr nga kryeministri Thaçi do të vazhdojë angazhimin për arritjen e marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal, dhe të proceseve integruese për të gjitha shtetet e rajonit, përfundon komunikata.
.......................
Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Ivica Daçiq nesër (të premten) do të takohen përsëri në Bruksel në përpjekje për të arritur marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.
Burime të Indeksonline kanë thënë se Thaçi e Daçiq do të vazhdojnë raundin e 10 të dialogut me ftesë të ndërmjetësuese evropiane, Katherin Ashton.
Kjo ftesë vjen pas 12 orëve që dështoi raundi i nëntë maratonik i dialogut.
Përsëri temë kyçe do të jetë veriu i Kosovës, përkatësisht kompetencat e Asociacionit të Komunave serbe në veri dhe çështja e periudhës kohor për të cilën trupat e FSK-së nuk do të kenë të drejt të dalin në veri.
Ndryshe, dje palët nuk kanë arritur që të nënshkruajnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Ndërsa ndërmjetësja në këto bisedime, shefja e diplomacisë së BE-së Catherine Ashton, tha dje pas takimit se palëve u është dhënë edhe një mundësi që të shqyrtojnë propozimin e bërë dhe të marrin vendim në interes të të dyja vendeve.
Derisa kryeministri i Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshjen, kryeministri serb Ivica Daçiq ka thënë se propozimet e bëra nga baronesha Ashton, e që kanë qenë të përmbledhura në 15 pika, kanë qenë më të pranueshme për Beogradin, por ka qenë Prishtina ajo që, sipas tij, ka penguar marrëveshjen./Indeksonline/