E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi, falenderon kryeministrin çek për mbështetjen ndaj Kosovës

Kryeministri Hashim Thaçi ka falënderuar Republikën e Çekisë dhe popullin e saj për përkrahjen dhe mbështetjen që i ka dhënë shtetit të Kosovës. Gjatë takimit me homologun e tij çek, Jan Fischer, Thaçi gjithashtu ka vlerësuar angazhimin e kontingjentit çek, në kuadër të trupave të KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon. Gjatë takimit, Thaçi ka njoftuar homologun e tij Fischer lidhur me implementimin e dokumentit Ahtisari, implementimin e Kushtetutës, respektimin afirmativ të minoriteteve si dhe arritjet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova. "Do të vazhdojmë të kemi raporte të shkëlqyeshme bilaterale midis Kosovës dhe Çekisë, në të ardhmen edhe Kosova si pjesë e NATO-s dhe BE-së", ka thënë Thaçi. Fischer ndërkaq, tha se Republika e Çekisë do të vazhdojë politikën e mbështetjes së vazhdueshme të Kosovës. Ai ka vlerësuar gjatë deklaratave të tij progresin e bërë në Kosovë. "Është shumë e rëndësishme të theksoj se Çekia është gati për të vazhduar me politikën që kemi filluar me njohjen e Kosovës, duke i përmbushur të gjitha detyrat dhe çështjet në këtë rajon", theksoi Fischer. Dy kryeministrat kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik si parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës dhe të gjithë rajonit. Ndërkaq edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu gjatë takimit që pati me Jan Fischer, mori garanci për përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme nga Republika e Çekisë në proceset e mëtejshme që do të kalojë Kosova.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›