Thaçi merr pjesë në inaugurimin e Papës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar për në Vatikan, ku do të marr pjesë në inaugurimin e kardinalit Jorge Mario Bergoglio, për Papë të ri të Selisë së shenjtë, i cili do të njihet si Papa Franciskus I.
Në këtë vizitë, kryeministri Thaçi, shoqërohet nga Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Personalitetet arrijnë në Romë për inaugurimin e Papës
Liderë botërorë kanë nisur të arrijnë në Romë për inaugurimin e papës së ri të Kishës Katolike.
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka arritur të dielën vonë, ashtu si edhe presidentja e Argjentinës, Cristina Kirchner.
Në inaugurimin e së martës pritet të marrin pjesë edhe personalitete të tjera, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministrin spanjoll, Mariano Rajoy, dhe kreun e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
Papa Franciskus I është zgjedhur në krye të Selisë së Shenjtë më 13 mars, duke pasuar Benedictin XVI. Ky i fundit ka dhënë dorëheqje muajin e kaluar për shkak të problemeve me shëndetin./Indeksonline/