E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi nga Brukseli: Besoj në marrëveshje

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha sonte në Bruksel se shpreson dhe beson në arritjen e një marrëveshjeje për ato pikat në të cilat grupet punuese nuk arritën të pajtohen.

Para takimit me homologun e tij serb Ivica Daçiq, kryeministri tha se takimi i ardhshëm synon arritjen e marrëveshjeve “të nevojshme dhe të domosdoshme, që kanë mbet pa implementuar”.

“Besoj që ky takim sonte, do të jetë një inkurajim i ri për zbatimin e mëtejmë dhe të përgjithshëm të marrëveshjes në mënyrë që të hapet perspektiva e sigurt evropiane edhe për Kosovën edhe për Serbinë”, u tha ai medieve.

Sipas tij, gjithçka që do të “varet nga Kosova, ne do t’i kryejmë obligimet tona në kohë rekord”, ndërsa siç tha ai “është inkurajues edhe zotimi i qeverisë së Serbsië për implementim”.

-------

Edhe pas negociatave disa orëshe, për ditë të tëra, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nuk kanë arritur të gjejnë pajtim për çështjet e telekomit dhe energjetikës.

Se këto çështje kanë mbetur të hapura e konfirmoi të enjten për Radion Evropa e Lirë edhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, e cila pas takimit me delegacionin serb tha se në nivelin teknik palët nuk arritën të gjejnë zgjidhje.

“Takimi i sotëm i kryeministrave Thaçi e Daçiq është një përpjekje për të arritur më shumë progres në këtë proces. Jam e sigurt se ata do të vlerësojnë fillimisht tërë atë që është bërë në tri javët e fundit, ku në nivele të ndryshme ka progres të ndryshëm, për çështjet që i kemi shtjelluar. Ky mund të jetë takimi që do të shënojë një progres të ri ose marrëveshje të reja. Në këtë moment unë nuk mund të them më shumë sesa që shpresoj se do të ketë më shumë progres”, tha Tahiri.

Delegacioni serb, nuk ka dhënë asnjë sqarim pas takimit se ku kanë ngecur negociatat, apo për cilat çështje nuk po arrihet të tejkalohen dallimet.

Sipas kryesueses së delegacionit kosovar në bisedimet teknike, në diskutimet e deritashme është arritur një lloj pajtimi për drejtësinë dhe sigurinë, përfshirë zhbërjen e strukturave paralele dhe integrimin e serbëve që janë të interesuar të përfshihen në strukturat kosovare.

Mirëpo, sipas zëvendëskryeministres, çështja e kodit telefonik ndërkombëtar mbetet pezull, pasi Serbia vazhdon të insistojë që ajo të aplikojë në emër të Kosovës për marrjen e prefiksit nga ITU-ja./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›