E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formohet shoqata e miqësisë Kosovë-Rumani

Ish-studentë të Kosovës, të cilët kanë studiuar në Rumani, së bashku me miq të tyre rumunë kanë themeluar Shoqatën e Miqësisë ndërmjet këtyre dy shteteve. Edhe pse Rumania ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, përfaqësues të shtetit rumun kanë thënë se kjo lidhje e tyre me shqiptarët ka rrënjë shekullore dhe se është në të mirë të të dy vendeve, raporton KTV.

Ndërsa, përfaqësues të institucioneve të Kosovës e kanë vlerësuar lart iniciativën për themelimin e kësaj shoqate, duke thënë se shpresojnë që në një të ardhme të afërt edhe Rumania të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të vendosen marrëdhënie diplomatike. Kjo shoqatë ka si qëllim thellimin e miqësisë midis popullit të Kosovës dhe atij të Rumanisë, si dhe të promovojë ide për zhvillim shoqëror në të gjitha fushat, ku si pikësynim kryesor mbetet përqafimi i vlerave të përbashkëta evropiane.

Në hapje të kësaj shoqate aktiviteti u zhvillua në ambiente të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, ku morën pjesë përfaqësues të të dy shteteve, prijës të institucioneve arsimore e kulturore në Kosovë, si edhe pjesëmarrës të tjerë./Indeksonline/    

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›