Xhavit Jashari: Meritat për liri nuk janë të ndërkombëtarëve

Shoqatat e dala nga lufta nuk pajtohen me atë se ndërkombëtarët i kanë meritat kryesore për lirinë e Kosovës. Ambasadori i Gjermanisë dhe ai i Britanisë në Kosovë kanë shprehur dje publikisht zhgënjimin e tyre të thellë me fushatën e veteranëve të luftës kundër EULEX-it, duke thënë se një fushatë e tillë është organizuar edhe kundër Gjermanisë dhe Britanisë, si dy ndër shtetet kryesore, të cilat kanë ndihmuar për çlirimin e Kosovës.
Përfaqësuesi i OVL të UÇK-së, Xhavit Jashari ka thënë se ata u janë mirënjohës shteteve që kanë ndihmuar në çlirimin e Kosovës, por meritat e lirisë, sipas tij, janë të atyre që luftuan dhe dhanë jetën për atdhe, e jo të ndërkombëtarëve. Xhavit Jashari ka theksuar se nuk janë kundër asnjë shteti që ka ndihmuar Kosovën gjatë dhe pas luftës, mirëpo janë kundër EULEX-it që, sipas tyre, po bën padrejtësi me ish-luftëtarët, raporton KTV.
Ai i është përgjigjur edhe deklaratave të liderit të “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, i cili ka thënë se veteranët e luftës janë zgjuar kundër EULEX-it vetëm atëherë kur janë prekur ata vetë. Jashari i quan qesharake këto pohime. Pavarësisht thirrjeve për mosndërhyrje në punën e EULEX-it, veteranët e luftës kanë thënë se nuk do të ndalen së kërkuari, sipas tyre, drejtësi, të cilën do ta bëjnë në forma të ndryshme, varësisht prej situatave.
Ndaj deklaratave të ambasadorit gjerman dhe atij britanik kanë reaguar edhe grevistët, të cilët tashmë 20 ditë gjenden përballë Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë. “Nuk është në dinjitetin tuaj të na shantazhoni dhe kërcënoni, që të mos shprehim kritikat kundër angazhimeve selektive të ca segmenteve të EULEX-it dhe as të dezinformoni, sikur ne protestuesit po bëjmë presion politik ndaj institucioneve të drejtësisë. Të gjitha kritikat dhe protestat tona janë orientuar dhe përqendruar kryesisht kundër proceseve të montuara, me dëshmitarë të rremë dhe mbi bazë të denoncimeve që po bëjnë kryesisht ish-informatorët dhe ish-kuislingët e forcave të armatosura të Serbisë, që ishin nën komandën e neofashistit Sllobodan Millosheviq. Akoma më pak ju nderon shantazhimi i stërpërsëritur se na keni ndihmuar të çliroheshim, prandaj duhet të mbyllim gojën dhe të durojmë, pavarësisht çfarë bënë EULEX-i”, thuhet në një reagim të grevistëve./Indeksonline/