E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi takon liderët e partive politike, mungon Kurti

PRISHTINE - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi një takim pasditen e sotme me liderët e të gjitha partive parlamentare, të cilët i ka njoftuar me vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për të shpallur të përfunduar mbikëqyrjen e pavarësisë në fund të këtij viti, nëse shënohet progres në veri të vendit.

Në këtë takim ka munguar lideri i Vetëvendosje-s, Albin Kurti, ndërkohë që kryeministri tha se kanë qenë të ftuar të gjithë drejtuesit e subjekteve politike parlamentare, pa përjashtim.

Ndërkohë lëvizja Vetëvendosje bëri të ditur se nuk ka marrë asnjë ftesë nga Kryeministria. Deputeti i kësaj partie, Liburn Aliu, ka thënë se Vetëvendosje nuk është njoftuar fare për takimin e sotëm.

Nga ana tjetër, lideri i partisë më të madhe opozitare, LDK-së, Isa Mustafa, dhe liderët e tjerë të partive parlamentare, kanë mirëpritur vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, duke premtuar mbështetjen e proceseve që çojnë drejt implementimit të plotë të Pakos së Ahtisaarit edhe në veri të Kosovës, dhe përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

(er.nu/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›