Thaçi: 2012-ta, vit i proçesit të liberalizimit të vizave

“Qeveria e Kosovës konsideron se janë plotësuar të gjitha kushtet për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave. Njëkohësisht, Qeveria mbetet e përkushtuar për zbatimin efektiv dhe në afat rekord të të gjitha kritereve pas hapjes së dialogut për liberalizimin e vizave”. Kështu ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi në takimin e nëntë të Këshillit Ministror për Integrimin Evropian.
“Në anën tjetër, pres që Bashkimi Evropian ta trajtojë Republikën e Kosovës si partner të barabartë në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Ne nuk presim favore apo lehtësime, ne presim trajtim të barabartë, si të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u bazuar në kritere strikte. Një sjellje e njëjtë si me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, do të ishte një shtytje e rëndësishme për gjithë shoqërinë kosovare dhe Qeverinë, për të vazhduar me iniciativat rajonale dhe me zbatimin e reformave të nevojshme”, ka deklaruar Thaçi.
“Pas publikimit të Raportit të Progresit për vitin 2011, Qeveria menjëherë ka iniciuar procese të rëndësishme me qëllim të adresimit të sfidave të Raportit të Progresit. Dy ditë pas publikimit të Raportit të Progresit, unë u kam komunikuar gjithë ministrave objektivat kyçe në kuadër të adresimit të sfidave të dala nga ky Raport. Sot takohemi për diskutimin e progresit të arritur në adresimin e disa nga objektivat më prioritare. Siç edhe e kam theksuar, Qeveria e konsideron Raportin e Progresit si mjet kyç në ndërmarrjen e reformave të nevojshme në të gjitha fushat e qeverisjes”- tha ai.
Më tej ai ka pohuar se kjo do të jetë axhenda e qeverisë gjatë tërë vitit 2012, por edhe viteve në vijim.
“Pra, të gjitha punët në qeveri, do t`i subkoordinohen axhendës Evropiane dhe asaj zhvillimore.
Pas publikimi të Raportit të Progresit, Qeveria ka filluar procesin e rishikimit të Planit të Veprimit të Partneritetit Evropian për vitin 2012. Ne synojmë që plani i Veprimit të Partneritetit Evropian të miratohet në qeveri deri në fund të vitit 2011. Viti 2012 është vit i procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë ndër të tjera kryeministri.