E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: As koalicion të ri, as zgjedhje të parakohshme

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka hequr dilemat për një koalicion të ri me subjekte politike. Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri ka thënë se nuk do të ketë koalicion të ri, por as zgjedhje të parakohshme, para afatit të caktuar me Kushtetutë.

“Nuk do të ketë as koalicion të ri dhe as zgjedhje të parakohshme para afatit kushtetues. Ne do të vazhdojmë me përgjegjësitë tona më të larta të punojmë, por jemi përkujdesur që të punojmë dhe gjejmë hapësirë edhe për mekanizmat tjerë që të japin kontributin e tyre qytetar kushtetues e ligjor për të vazhduar me reformat zgjedhore”, ka thënë shefi i qeverisë.

Sipas tij, ka vend dhe hapësirë për punë të përbashkët të pozitës dhe opozitës në segmente të caktuara shtetërore. “Unë gjithmonë opozitën e kam parë si një vlerë të shoqërisë demokratike. Besoj se opozita do të vazhdojë të luajë rolin e vet aktiv dhe konstruktiv siç e ka pasur deri më tani. Tek e fundit përmbyllja e mbikëqyrjes është meritë dhe kontribut i të gjithëve”, ka thënë Thaçi.

Sa i përket presidentes, ai ka thënë se do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtuese. Thaçi ka shtuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e presidentes më shumë e ka dëmtuar PDK-në, pasi, sipas tij, po të mbaheshin zgjedhjet për president, padyshim se këtë mandat do ta fitonte PDK. Ai ka theksuar se do të respektohet edhe marrëveshja për reformën zgjedhore.

Gjithashtu kryeministri Thaçi në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se kanë mbetur edhe 40 ditë kur do të merret vendimi përfundimtar i përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Ai ka thënë se të gjitha prioritetet dhe axhendat që kanë qenë të planifikuara janë duke u kryer në përpikëri të plotë.

“Pres që edhe me rifillimin e punës së Kuvendit të kryhen edhe detyrimet që ka Kuvendi për ndryshimet e nevojshme kushtetuese që të plotësojmë agjendën paraprake të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Do të jetë një hap i ri një etapë e re për shtetin tonë shtet me përgjegjësi të plota dhe natyrisht me axhendën konkrete evropiane me hapat e mëtutjeshëm që do t`i kemi gjatë vjeshtës”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri pret që në këtë proces të punojnë bashkërisht të gjithë, Qeveria, Kuvendi, partitë politike në pozitë e opozitë, OJQ-të dhe mediat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›