Thaçi, Ashton: Presim dritën jeshile për fillimin e negociatave për MSA-në
Kryeministri kosovar u takua në Nju Jork me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme të BE
Në selinë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Hashim Thaçi është takuar sot me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Baroneshën Catherine Ashton, të cilën e ka njoftuar me punën që po bëjnë institucionet e Kosovës në përmbushjen e reformave që derivojnë nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.
“Kosova ka përmbyllur një etapë të rëndësishme, atë të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, por ky proces merr kuptim vetëm me hapjen e kapitullit të ri, atij të integrimit evropian. Relacioni mes Kosovës dhe BE-së duhet të kalojë përtej kurtuazisë dhe fjalëve të mira, në një relacion konkret kontraktual përmes procesit të Stabilizim Asociimit”, tha kryeministri Thaçi në takim. Kosova, theksoi kryeministri Thaçi, po përmbush reformat e nevojshme, dhe siç ka potencuar ai, “me të drejtë në këtë dhjetor presim dritën e gjelbër nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit”. “I kuptojmë vështirësitë politike në kuadër të BE-së, por përkundër jo unitetit për pavarësinë e Kosovës, është për t’u përshëndetur unanimiteti që ekziston në kuadër të BE-së për të ardhmen Evropiane të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor”- deklaroi Thaçi.
Kryeministri, siç theksohet më tej në komunikatë, e njoftoi znj. Ashton për angazhimin gjithëpërfshirës të institucioneve të Kosovës dhe tërë spektrit politik në përmbushjen e detyrimeve nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.
“Qytetarët e Kosovës janë qytetarët më të izoluar të Evropës. Ne nuk po kërkojmë status të privilegjuar e as proces të përshpejtuar. Ne po punojmë në përmbushjen e reformave që derivojnë nga udhërrëfyesi dhe presim që edhe BE mos të vonohet në këtë proces”- deklaroi kryeministri Hashim Thaçi.