“Plani Urbanistik, garant i pronës dhe hapësirave publike”

Vijon konsultimi me qytetarët për projekt-planin urbanistik. Kryebashkiaku Lulzim Basha në njësinë nr. 10
Kryebashkiaku Basha ka vazhduar edhe sot konsultimet me banorët e minibashkive, për planin urbanistik të Tiranës. Pas minibashkisë nr.8, njësia bashkiake numër 10 ka qenë ndalesa e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në kuadër të fushatës konsultuese me qytetarët për planin e ri urbanistik të kryeqytetit. I ndodhur pranë këtyre banorëve, Kryebashkiaku e vuri theksin tek zhvillimi i qëndrueshëm i qytetit, i cili do jetë në respekt të pronës private dhe zgjerimit të hapësirave publike.
“Trajtimi i pronës private është një nga çështjet me rëndësi, sikurse edhe infrastruktura sociale, kopshtet, shkollat, hapësirat e gjelbra. Si i sistemon dhe si i vë balancat, drejtpeshimi mes interesit privat dhe publik. Prona të zhvillohet në mënyrë që brezat që vijnë të mos vuajnë”, theksoi Basha.
Sipas Kryebashkiakut Lulzim Basha, “askund nuk është më evidente një problematikë e tillë se në këtë njësi vendore, ndërkohë që theksoi se ky është zhvillimi i qëndrueshëm për sot dhe për nesër. Respektimi i pronës private dhe zgjerim i hapësirës publike, është një e drejtë në themel të planit urbanistik që do të miratohet”, tha ai.