E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Beogradi të ndihmojë në kthimin e serbëve

Prishtinë-Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për gazetarë, ku mori pjesë edhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Sasha Rashiq u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime etnike, veçanërisht komunitetit serb që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre në Kosovë.

“Ne po ndërtojmë vend demokratik, me shoqëri shumetnike. Janë krijuar kushtet e sigurisë dhe mundësitë më të mëdha të jetesës, të jetës më të mire, të jetës së re, që çdo qytetar pa dallim të përkatësisë etnike të jetojë aty ku dëshiron të jetojë. Kemi klimë dhe ambient të sigurt. Ky mesazh ju drejtohet gjithë qytetarëve të Kosovës, para së gjithash i drejtohet njerëzve të komunitetit serb, që të vazhdojnë në trendin pozitiv të kthimit të tyre në pronat dhe shtëpitë e veta”-theksoi kryeministri Thaçi.

Kryeministri kosovar, duke garantuar sigurinë dhe ndihmën për qytetarët serbë, i ka bërë thirrje qeverisë së Serbisë që të ndihmojnë në kthimin e të zhvendosurve. “Gjithashtu, ftoj në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qeverinë e Serbisë, autoritetet në Beograd, që të jetë ndihmuese në kthimin e njerëzve në shtëpitë dhe pronat e tyre këtu dhe të mos jetë pengues për qëllime politike të manipulojnë këtë proces”-vijoi Thaçi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›