E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Brukseli aprovon studimin e fizibilitetit për Kosovën

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar se Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian sot ka aprovuar studimin e fizibilitetit për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe shkurtimin e periudhës kohore për liberalizimin e vizave.

Këto komente, Thaçi i ka bërë pas takimit që ka pasur sot me dy ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, duke thënë se, para pak minutash, ka marr këtë informatë nga Brukseli.

“Sot ju konfirmoj se pak minuta para se të filloj takimi mes presidentëve të nderuar, midis presidentëve Meidani dhe Mosiu, Këshilli i Ministrave ka aprovuar të drejtën e Kosovës për studimin e fizibilitetit për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe shkurtimin e periudhës kohore për liberalizimin e vizave. Kështu që kisha kënaqësinë të takohesha me dy presidentët Meidani dhe Moisiu në këtë moment jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe evropiane dhe para se të merrja këtë informatë nga Brukseli”, ka thënë Thaçi, siç transmeton Kosovapress.

Për më tepër ai ka shtuar se e ardhmja evropiane e Kosovës dhe Serbisë është e ndara si për dy shtete të veçanta, pasi, sipas tij, vendimet për Kosovën i takojnë Kosovës, vendimet e Këshillit të Ministrave për Serbinë i takojnë Serbisë.

I pyetur nëse ato që janë arritur në Bruksel midis Prihtinës dhe Beogradit janë marrëveshje apo konkluzione, pasi flitet për përfaqësim në nivel të shteteve, kryeministri ka thënë se këto janë konkluzione mirëkuptuese.

“Janë konkluzione mirëkuptuese mes dy shteteve, por e ritheksoj sa i përket përfaqësimit rajonal, Kosova do të përfaqësoj për vetveten, do të flas për vetveten, pa UNMIK-un, bile UNMIK nuk do të jetë as në salla as në korridore. Kosova me vendet që ka njohur do të jetë e njëjtë, me Serbinë, as nuk na ka njohur, as nuk e kemi njohur do të kemi reciprocitet. Mosnjohja është për fat të keq, kur Serbia është e gatshme të lëviz drejt njohjes edhe ne do të shqyrtojmë dhe do të marrim vendimin e duhur”, ka thënë ai.

Ndërsa në lidhje me atë se a mund të ndryshohet kjo fusnotë në të ardhmen, kryeministri ka thënë se ndryshimi do të ndodh me evulimin e proceseve evropiane për Republikën e Kosovës. Sipas tij, nuk janë të ndërlidhura perspektiva e Serbisë me atë të Kosovës apo e Kosovës me atë të Serbisë.

Ai, edhe njëherë, ka thënë se ka qenë një proces që nuk ka qenë i lehtë, jo shumë ideal, jo zgjidhje e përkryer, por e balancuar me mbështetje të plotë të Uashingtonit dhe Brukselit.

Shefi i qeverisë ka çmuar kontributin e jashtëzakonshëm dhe historik të dy ish-presidentëve Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani për çlirimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj.

Nga ana tjetër ish-presidenti Alfred Moisiu ka vlerësuar lartë ndryshimet që janë bërë gjatë katër viteve të Kosovës së pavarur.

“Duhet të them që Kosova mbushi katër vjet dhe për çdo shqiptar është një kënaqësi e veçantë kur i sheh këto ndryshime të mëdha, ndryshime në kuptimin politik, në kuptimin ekonomik dhe ndryshime në tërësi në kulturën ligjore dhe kulturën politike të klasës politike kosovare dhe popullit kosovar. Dhe sigurisht krahas kësaj, dëshirojmë të ju urojmë të ardhme sa më të mirë dhe integrim sa më të shpejt në strukturën Euro-Atlantike”, ka thënë Moisiu.

Ndërsa ish-presidenti, Rexhep Meidani duke ju referuar marrëveshjes së fundit ka thënë se Kosovës po i hapet një dritare Kosovës për integrim në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Po të shikoni me kujdes ishte rezoluta 1244 i dha çlirimin Kosovës ishte paketa Ahtisarit që në fund të fundit i dha të drejt për të pavarësuar Kosovën, të njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare dhe njëkohësisht me veprimet e fundit dhe me angazhimet e kryeministrit të Kosovës ju po hapni dritaren e integrimit të Kosovës, duke hapur fuqishëm këto dritare të integrimit të Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian”, ka deklaruar Meidani.

Studim i fizibilitetit, thuhet t’i jetë dhënë Kosovës si shpërblim pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë për përfaqësim rajonal.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›