Thaçi: Destinacioni i vetëm i Kosovës, Bashkimi Evropian

Kosova ka vetëm një destinacion dhe ai është Bashkimi Evropian, ka thënë të martën kryeministri Hashim Thaçi, në takimin e gjashtë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian. Ai gjtihashtu ka shprehur përkushtimin e plotë të qeverisë së Kosovës për përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme për marrjen e strategjisë për liberalizimin e vizave.
Thaçi ka theksuar se perspektiva evropiane e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është konfirmuar në të gjitha nivelet, mirëpo ky konfirmim nuk është në nivelin e mjaftueshëm, prandaj ka nevojë për koordinata të sakta të këtij qëllimi.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës ka thënë se puna për plotësimin e kritereve për integrim evropian nuk varet nga një individ apo nga një ministri, por është detyrë e secilit institucion të Kosovës.
Prandaj në këtë drejtim, ai ka thënë se gjatë muajve të mbetur, Ministria e Integrimit Evropian do të ketë mandat dhe përkrahje të plotë në monitorimin dhe raportimin e zbatimit e obligimeve të secilit institucion.