Kurti: Dialogu, në interes të Serbisë dhe në dëm të Kosovës

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka siguruar qytetarët se synimi i kësaj lëvizjeje është ndalja e procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi, sepse sipas tij ato janë të dëmshme për Kosovën dhe në interes të Serbisë.
Kurti i bëri këto komente në Drenas, ku mori pjesë në procesin e brendshëm zgjedhor të këtij subjekti politik.
“Qeveria e Kosovës po e bosnjanizon Kosovën. Këto bisedime kanë nisur në Bruksel, pa asnjë parim, me këto kushte që nuk e çojnë vendin në asnjë vend, janë të dëmshme për ne, e në interes të Serbisë”, tha Kurti.
Sipas tij, Kosova është duke kaluar ditët më të vështira, ndërsa ka premtuar se si opozitë e fortë që është, do t`i ndalojë këto procese. “Ne do të bëjmë çdo gjë që t`i ndalim këto procese të dëmshme për vendin”, siguroi ai.