E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Do të marrim veriun nën kontroll

Qeveria e Kosovës tregon strategjinë e vendosjes së autoritetit
Autoritetet e Kosovës janë të vendosura për zbatimin e ligjshmërive dhe zhbërjes së strukturave paralele, të cilat nuk i njohin institucionet e vendit. Kjo strategji do të jetë në funksion të shtrirjes së autoritetit të Republikës së Kosovës në gjithë territorin e saj. Ky ka qenë thelbi i mesazhit që u shpërnda në takimin e djeshëm të qeverisë, ku u diskutua për strategjinë e vendosjes së ligjshmërisë në tërë vendin. "Strategjia për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe është në përputhje me dokumentin e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës", theksoi Kryeministri Hashim Thaçi. Ai bëri të ditur se në mbledhje janë prezentuar disa ide, nga dokumenti i përbashkët i institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare. "Kemi rifuqizim të mbështetjes dhe përkushtimeve ndërkombëtare në përpjekjet tona për vënien e ligjshmërisë në tërë Kosovën, pra edhe në veri, gjithçka në përputhshmëri me dokumentin e Ahtisarit dhe me Kushtetutën e Kosovës dhe respektimin e integritetit të Kosovës", deklaroi Thaçi. “Vitin e kaluar kemi investuar 8 milionë euro në infrastrukturë për të gjitha komunitetet. Ka qenë një sinjal shumë i mirë e shumë pozitiv për ndërtimin e një qyteti të përbashkët me jetesë të përbashkët dhe me tolerancë qytetare e ndëretnike.
“Ky fokusim i theksuar i institucioneve vendore ka nxitur gjithë komunitetin ndërkombëtar që të jenë unik në mbështetje të përkushtimeve dhe përgjegjësive që kemi ne, sepse ky është viti i konsolidimit të plotë të shtetit të Kosovës. është një proces shumë demokratizues, ofrues dhe integrues për të gjitha komunitetet”, tha Thaçi. Kryeministri i vendit lavdëroi punën e ministrave, duke kërkuar njëherësh angazhime shtesë në përballimin e sfidave, të cilat janë përpara Kosovës në rrugën e integrimeve europiane. Me këtë rast, Kryeministri vlerësoi njohjen e bërë nga Mauritania dhe raportin e Freedom House për Kosovën, si edhe veprimin e djeshëm të Policisë së Kosovës për dëbimin e Goran Bogdanoviç nga Kosova.
Duke folur lidhur me ndalimin e zyrtarëve të shtetit të Serbisë që dëshironin të kryenin angazhime politike në Kosovë, Kryeministri Thaçi pohoi se është përkushtim i institucioneve të Kosovës për respektimin e ligjit dhe rendin tonë kushtetues. Të gjithë duhet ta kuptojnë se Kosova është shtet, ka Kushtetutën e vet dhe rendin e saj kushtetues e ligjor. Qeveria e Kosovës i ka dhënë përkrahje iniciativës së disa studiuesve për përgatitjen dhe kompletimin e dosjes për UNESCO-n, që eposi i Kreshnikëve të vlerësohet dhe të radhitet ndër kryeveprat e trashëgimisë gojore të njerëzimit. Ndërkaq, nisur nga situata e rëndë e krijuar në komunën e banuar nga pakica serbe, qeveria ka propozuar një komision ndërministror që të vlerësojë urgjentisht situatën pas rrëshqitjes së dheut në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës. Lidhur me këtë rast, Thaçi ka kërkuar që ekspertët të vizitojnë menjëherë fshatin dhe vendin në mënyrë që të vlerësohet gjendja dhe të merren vendime të shpejta në përputhshmëri me kushtet e rrethanat që janë krijuar. Qeveria i ka dhënë mbështetje propozimit të ministrit Nenad Rashiç që të shikohet mundësia e kthimit në punë të rreth 50 gardianëve të komunitetit serb, që më herët kanë punuar në shërbimin korrektues të Kosovës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›