BB-qeveri, shtrëngim duarsh pas Jalit

Zv.presidenti i Bankës Botërore, Houerou: E pranojmë, gabimi ishte i yni
Shkrihen marrëdhëniet mes Bankës Botërore dhe qeverisë shqiptare, pas vizitës në Tiranë të zv.presidentit Filip Le Houerou. I ftuar nderi në mbledhjen e radhës së qeverisë, shefi i BB-së, pranoi hapur gabimin që është bërë me projektin e bregdetit të jugut, dhe uroi që të tilla gabime të mos përsëriten. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha vlerësoi rolin e bankës në zhvillimin ekonomik të vendit, si edhe garantoi për bashkëpunime të mëtejshme. Raportet mes qeverisë dhe Bankës Botërore kishin ngrirë që prej tre muajsh, ndikuar nga skandali i Jalit, ku të përfshirë ishin persona të familjes së Kryeministrit. “Përfundimisht duhet të pranojmë që banka ka bërë gabime në këtë projekt. Ne po punojmë që të sigurohemi që kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen, këtu apo në ndonjë vend tjetër”, tha zv.presidenti Houerou. Kurse Berisha deklaroi se “të gjitha këto probleme janë qartësuar përfundimisht në rrafshin bilateral dhe nuk mbetet as edhe një çështje lidhur me këtë projekt”. I gjithë projekti kap vlerën e rreth 80 milionë eurove dhe konsistonte në hartimin e një plani rregullues për zonën e bregdetit. I kontraktuar për zbatimin e projektit ishte edhe zyra e drejtuar nga bashkëshorti i vajzës së Kryeministrit, nga ku më pas u mësua se ishin bërë shkelje me lejimin e prishjes së disa shtëpive në fshatin bregdetar të Jalit. Megjithatë, palët i kanë sheshuar të gjitha mosmarrëveshjet dhe kanë biseduar edhe për projektet e reja.
Qëndrimet
Nuk ishte parë ndonjëherë një “mea culpa” nga ana e Bankës Botërore. E diktuar nga kushtet aspak pozitive të krijuara në Shqipëri, drejtuesit e bankës e panë të arsyeshme të marrin mbi vete përgjegjësitë. Zv.presidenti i Bankës Botërore u tregua tepër i hapur në deklaratën e djeshme, i cili tha se i gjithë gabimi ishte i bankës, duke shfajësuar në këtë mënyrë rolin e qeverisë. “Dua që të jem shumë i drejtpërdrejtë për sa i takon projektit të menaxhimit të integruar të zonës bregdetare. Bankës i vjen shumë keq, që një inspektim që synonte të shihte nëse banka i ishte përmbajtur ose jo politikave të veta, solli akuza kundër veprimeve të qeverisë në lidhje me këtë projekt. Dua të jem shumë i qartë se procesi i panelit të inspektimit nuk heton veprimet e klientëve tanë dhe nuk duhet të interpretohet si i tillë. Për më tepër nuk pati asnjë provë për korrupsion, në mënyrë që departamenti për integritetin institucional të bankës të kryente hetime të mëtejshme. Pra, përfundimisht duhet të pranojmë që banka ka bërë gabime në këtë projekt. Ne po punojmë që të sigurohemi se kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen, këtu apo në ndonjë vend tjetër”, ishte deklarata e plotë e Houerou lidhur me çështjen. Kurse Berisha u shpreh se “Banka e ka shumë të qartë dhe zv.presidenti siguroi qeverinë se është plotësisht i bindur në rëndësinë e këtij projekti dhe në korrektesën e qeverisë shqiptare”. Deri tani, që prej vitit 1991, Banka Botërore ka financuar rreth 70 projekte, me vlerë 1.4 miliardë lekë.
#