Thaçi: Do të punojmë me Haradinajn

Që prej së është liruar dhe shpallur i pafajshëm nga aktakuzat që e ngarkonin atë me krime lufte nga ana e Tribunalit të Hagës, Ramush Haradinaj kishte paralajmëruar si mundësi edhe përfshirjen në Qeveri, duke synuar marrjen e postit të kryeministrit të Kosovës.
Të premten, ai u prit në selinë e PDK-së, pikërisht nga kryeministri Hashim Thaçi. Mirëpo pas takimit, Haradinaj, ndonëse nuk e ka fshehur se synon pozitën që aktualisht e mban Thaçi, ai ka thënë se në këtë takim nuk ishte diskutuar kjo çështje.
“Kemi thënë në media deri më tani se ofrohemi me marr përgjegjësi, edhe përgjegjësi të para në qeverisje. Gjithashtu, marrja e përgjegjësive është një proces. Ne sot e kemi filluar me disa tema, e në të ardhmen mund të vazhdojmë me të ardhme tjera, pra kjo është e vërteta dhe nuk e kemi trajtuar temën për të cilën po flasim (koalicionit)”, është shprehur Haradinaj, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Ndërsa çështjen e koalicionit e kishin lënë për diskutim e negociata për takimet e radhës, Thaçi e Haradinaj janë pajtuar të vazhdojnë bashkëpunimin për disa fusha të cilësuara të interesit në nivel të Kosovës.
Dialogu me Beogradin, reformat zgjedhore si dhe proceset integruese evropiane, janë veçuar si çështje të interesit të përbashkët të pozitës dhe opozitës.
Kryeministri Thaçi ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë ka marrë përgjegjësi, duke pranuar postin e koordinatorit në procesin e bisedimeve me Serbinë dhe shprehet e gatshme edhe për procese tjera.
“Jemi zotuar që të punojmë ngushtë bashkërisht për reformën zgjedhore, pastaj për një angazhim të përbashkët për perspektiven evropiane si qëllim, vlerë dhe vizion i përbashkët i politikës kosovare. Gjithashtu, kemi përkushtimin e përbashkët dhe të fuqishëm që të punojmë me përgjegjësi të plota në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë”, ka thënë Thaçi.
Ndryshe, lideri i AAK-së, Haradinaj, ka vazhduar serinë e takimeve të tij me kryetarët e partive politike edhe me një takim në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me liderin e saj Isa Mustafa.
Që nga kthimi nga Haga, Haradinaj ka shprehur gatishmërinë e tij për bashkëpunim me gjithë spektrin politik, duke shprehur qartë se ambiciet e tij janë që të merr nën drejtim qeverinë e Kosovës.
Kështu që, takimet e tij me kreun e PDK-së e më pas atë të LDK-së, shihen si nisje e një procesi ku ai dhe AAK-ja do të provojnë të gjejnë partnerin e ardhshëm që si synim ka lidershipin dhe qeverisjen në Kosovë. Përderisa LDK-ja edhe ashtu është në opozitë, Partia Demokratike deri më tani i ka dhënë sinjale jo pozitive Haradinajt për postin e kryeministrit. Por, e ka lënë të hapur mundësinë e koalicionit, nëse AAK-ja heq dorë nga posti udhëheqës i Qeverisë.
Thaçi e Haradinaj, s’flasin për koalicion
Takimi i parë në mes të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka përfunduar.
Të dy liderët në një konferencë të organizuar për gazetarë kanë thënë se ata më shumë kanë biseduar për temat aktuale dhe politike në vend por jo edhe për koalicionin.
Kryeministri Thaçi tha se me Ramush Haradinaj kanë biseduar për rrjedhën e dialogut Prishtinë-Beograd, për reformën zgjedhore dhe për procesin intrgruese të vendit.
Asnjëri prej liderëve nuk thanë ndonjë djalë për koalicionin e mundshëm PDK-AAK, të shumëpërfolur kohët e fundit.
Haradinaj në këtë takim ka falënderuar kryeministrin për pritjen që ia ka bërë pas lirimit nga Tribunali i Hagës.
Krejt në fund dy liderët e të dy partive shkëmbyen libra me njëri tjetrin. Thaçi ja dha Haradinajt librin e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa Haradinaj ja dhuroi një libër me veshje tradicionale.
Haradinaj takon Thaçin në selinë e PDK-së
Ramush Haradinaj ka nisur sot një takim me partitë politike të Kosovës. Takimi i parë ka nisur me Partinë Demokratike të Kosovës, parti kjo që qeveris me Kosovën.
Haradinaj është takuar me kryetarin e kësaj partie, aktualisht me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi ndërkaq takimi po zhvillohet në selinë e PDK-së.
Po ashtu, Haradinaj gjatë ditës së sotme pritet të këtë një takim edhe me kryetarin Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Ende nuk dihet se a do të këtë lideri i AAK-së takime edhe me lider të partive të tjera politike në vend apo vetëm me PDK-në dhe LDK-në.
Thuhet se AAK do të hyjë në koalicion me PDK, ku AAK kërkon postin e kryeministrit por një gjë të këtillë e mohojnë zyrtarët e PDK-së të cilët ditë më parë thanë se Kosova e ka kryeministrin dhe se nuk ka nevojë për ndryshime dhe ai është lideri i kësaj partie, kryeministri aktual Hashim Thaçi