Thaçi: Janari hap kapitull të ri për Kosovën

Numri një i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian do ti hapë rrugë dialogut për liberalizimin e vizave. Gjatë mbledhjes së qeverisë Thaçi tha se mesi i janarit do të hapë kapitullin e zbatimit të kritereve të nevojshme për liberalizimin e vizave.
“Këshilli i Ministrave të BE-së ka nxjerrë konkluzione për të hapur dialogun për liberalizim të vizave, marrëdhëniet kontraktuale me BE-në dhe anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Pra, vendimi për hapjen e dialogut është marrë nga Brukseli. Diçka e tillë më është konfirmuar edhe mua në vizitën që isha javën e kaluar në Bruksel. Vendimi politik është marrë, është çështje teknike e ekipeve se kur do të takohen në Prishtinë apo Bruksel, është çështje e ditëve të ardhshme. Prishtina është e gatshme t’i hyjë implementimit menjëherë”, ka thënë Thaçi në mbledhjen e ekzekutivit.
Më tej ai ka thënë se pavarësisht zërave skeptikë procesi i vizave u kthye në një axhendë konkrete.
“E dini se ka pasur skeptikë që Kosova do ta fitojë këtë agjendë konkrete evropiane, por mbi atë skepticizëm ka dominuar puna jonë, përgjegjësia jonë, përgjegjësia evropiane, përgjegjësia për të respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet tona, për të vazhduar me qeverisjen e mirë, efektive, të sundimit të ligjit, të luftimit të dukurive negative. Prandaj po e hapim kapitullin e ri të implementimit nga janari, të kritereve të nevojshme për liberalizim”, u shpreh kryeministri.