Hoxhaj: Shpërbërja e strukturave serbe, kusht për sigurinë në Ballkan

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Republika e Kosovës është e vendosur që përmes bashkëpunimit regjional të marrë pjesë në të gjitha iniciativat dhe mekanizmat rajonal të sigurisë dhe se prioritet i saj është antarësimi në NATO. Këtë deklaratë ai e bëri në takimin e Iniciativës për Siguri dhe Paqe në Ballkan, i cili u mbajt gjatë ditrës së sotme në Tiranë. Hoxhaj ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës, e cila sipas tij, po mbahet nën tension nga struktura kriminale dhe paramilitare serbe.
Në takimin që është zhvilluar ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut `US-Adriatic Charter (A5)`, ministri Hoxhaj ka falënderuar NATO-n për mbështetjen që i ka dhënë popullit të Kosovës dhe garantimit të paqes në Ballkan.
Duke folur për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës, Hoxhaj ka theksuar se strukturat kriminale dhe ilegale, të ndihmuara nga formacione paramilitare paraqesin kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, në të njëjtën kohë edhe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. “Pa zhbërjen e plotë të këtyre strukturave kriminale nuk mund të ketë paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan”, ka thënë Ministri Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka theksuar se Republika e Kosovës është shumë e vendosur që përmes bashkëpunimit regjional të marrë pjesë në të gjitha iniciativat dhe mekanizmat rajonal të sigurisë. “Është synim i Republikës së Kosovës që të jemi pjesë e Partneritetit për Paqe dhe anëtar i NATO-s, derisa Kosova është e përgatitur dhe e gatshme që të marrë pjesë në të gjitha misionet ushtarake dhe humanitare në botë”, ka thënë ai.