E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Jo koalicion me partitë opozitare

Kryeministri Hashim Thaçi i është përgjigjur negativisht dëshirës së zyrtarëve të AAK-së për t`u bërë pjesë e një koalicioni të ri. Ai ka thënë se koalicioni qeverisës mund të ndryshojë vetëm pas zgjedhjeve të reja parlamentare. Por, kreu i Qeverisë ka mirëpritur gatishmërinë e partisë së Ramush Haradinajt për të marrë pjesë në dialogun me Serbinë.
"Koalicioni aktual është funksional dhe mirëqeverisës, në të njëjtën kohë nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, zgjedhjet do të jenë të rregullta në afatin kushtetues. Por, ka hapësirë dhe mundësi për çdokënd për të kontribuar në konsolidimin dhe forcimin e shtetit. Ndryshimet politike ndodhin vetëm kur ndodhin zgjedhjet e reja elektorale", ka shtuar ai.
Zyrtarët e AAK-së kanë deklaruar në muajin e fundit se do të marrin pjesë në bisedimet e ardhshme politike me Serbinë, duke shprehur gatishmërinë të bëhen jenë pjesë e Qeverisë.
I pari që nuk kishte mohuar një koalicion të tillë ka qenë Ardian Gjini e më pas udhëheqësi aktual i AAK-së, Blerim Shala, i cili shprehur hapur pro koalicionit me PDK-në me kushtin që Ramush Haradinaj të merr postin e Kryeministrit.
Kundër një koalicioni mes Thaçit e Haradinajt ka dalë të enjten edhe Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi.
Ai ka thënë se nuk e sheh të nevojshme ndryshimin e koalicionit për të shkuar në bisedime me Serbinë.
"Unë mendoj që nuk ka ndonjë arsye që për çështje të bisedimeve të bëhen koalicionet. Për këtë çështje as që është biseduar në organet e partisë", ka thënë Krasniqi.
Por, më herët Krasniqi kishte thënë se jo vetëm AAK, por edhe partite e tjera duhet të bëhen bashkë në koalicionin për të shkuar në bisedimet me Serbinë.
Thaçi ndërkaq ka folur pozitivisht për gatishmërinë e opozitës konkretisht AAK-së për t`iu bashkuar procesit të bisedimeve me Serbinë. Ai ka thënë se e mirëpret gatishmërinë e një pjesë të opozitës për të marrë pjesë në dialogun e ardhshëm do të zhvillohet me Serbinë.
Ndërkohë, edhe AKR-ja e Behgjet Pacollit ka dalë me qëndrim se nuk e ka në plan të largohet nga qeveria, edhe nëse PDK hyn në koalicion me AAK-në.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›