Thaçi: Koalicioni një javë pas rivotimeve
Kryeministri në largim i Kosovës Hashim Thaçi, njëherësh kryetar i PDK-së, beson se koalicionin qeverisës do të arrijë ta formojë një javë pasi të kryhet rivotimi në pesë komunat.
“Unë flas me bindje të plotë se në javën e parë pas 9 janarit do ta zyrtarizojë koalicionin shumëpërfshirës dhe shumeetnik”, ka thënë Thaçi .
Ai nuk ka treguar se më kë do të bëjë koalicion, por tregon se kush nuk mund të bashkëqeverisë me të. Në Vetëvendosjen dhe LDK-në nuk sheh partnerë në qeverisjen e ardhshme.
“Ata që janë kundër autostradës, kundër ekonomisë së lirë të tregut, kundër privatizimit, ata që i takojnë mentalitetit të së kaluarës, dhe ata që premtojnë bashkim kombëtar elektoral, nuk mund të jenë në qeverinë time”, ka thënë Thaçi.
“Vijat e kuqe”, që i nxjerrin disa anëtarë të AAK-së për të mos hyrë në koalicion me PDK-në, Thaçi nuk i merr shumë seriozisht, ashtu sikur nuk e mohon se po t`i jepej mundësia do të vizitonte Ramush Haradinajn në Tribunalin e Hagës.
Me bindjen së është politikani më i votuar në Kosovë, ai e ndien veten përgjegjës për ta gjetur një president të mirë. Thaci konfirmon se presidenti i ri do të ketë edhe adresë politike.