E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Koalicionin do ta zyrtarizoj një javë pas 9 janarit

Nga Express më 25 dhjetor 2010 në ora 14:42

Hashim Thaçi po pret që në janar t’i hiqet epiteti që aktualisht e ka - kryeministër në largim. Beson se në gjysmën e parë të këtij muaji do ta zyrtarizojë koalicionin që do t’ia siguronte shumicën e ulëseve në Kuvend, me çka do të siguronte edhe udhëheqjen e ekzekutivit deri në vitin 2014.

Në një intervistë me Kohën Ditore, Thaçi nuk ka treguar se me kë do të bëjë koalicion, por tregon se kush nuk mund të bashkëqeverisë me të. E në grupin e dytë, pos “Vetëvendosjes” e lë edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Konsideron se qëndrimi i partisë 21-vjeçare në opozitë do ta pasuronte tërë skenën politike në vend.

Nuk ngurron të përzihet në punë të brendshme të kësaj partie dhe t’i tregojë kryetarit të saj, Isa Musafa, se për të është më mirë që të merret me reformimin dhe forcimin e LDK-së në katër vjetët e ardhshëm. I thotë që të mos shpresojë në krijimin e ndonjë qeverie teknike, e as të mos përpiqet që krizën e brendshme të partisë ta zgjerojë në krizë vendi.

Me bindjen se është politikani më i votuar në Kosovë, ai e ndien veten përgjegjës për ta gjetur një president të mirë. Nuk thotë nëse ai mund të jetë Behxhet Pacolli, Blerim Shala, Murat Jashari apo Adem Demaçi, por konfirmon se presidenti i ri do të ketë edhe adresë politike.

“Vijat e kuqe” që i nxjerrin disa prej drejtuesve të AAK-së për të mos hyrë në koalicion me PDK-në, Thaçi nuk i merr shumë seriozisht, ashtu sikur nuk e mohon se, po t’i jepej mundësia, do ta vizitonte Ramush Haradinaj në Tribunalin e Hagës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›