E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Korrupsioni, plagë e rëndë për Kosovën

Zbatimi i ligjeve, luftimi i dukurive negative si, krimi i organizuar, korrupsioni, etj., mbeten plagë të rënda për shoqërinë dhe shtetin tonë, tha të hënën kryeministri Hashim Thaçi, në takimin e në takimin e Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Rendit dhe Ligjit.
“Ndaj ju inkurajoj që të gjithë së bashku të përkushtohemi maksimalisht për luftimin e këtyre dukurive dhe sigurimin e një ambienti ku të gjithë qytetarët e Kosovës jetojnë dhe gëzojnë të drejta të plota dhe trajtohen të barabartë para ligjit”, tha kryeministri, i cili në vazhdimësi është kritikuar nga opozita për mosangazhim të mjaftueshëm në luftimin e korrupsionit, që deri tani ka qenë sfidë për secilën qeveri të pasluftës.
“Personalisht mbetem shumë i përkushtuar për të parë hapa konkret nga të gjitha agjencitë dhe institucionet tjera që merren me fushën e rendit dhe ligjit. Qeveria që unë drejtoj mbetet e përkushtuar për krijimin e një ambienti ku mbizotëron rendi, ligji dhe drejtësia si parime kryesore të çdo shoqërie moderne”, tha kryeministri në këtë takim.
“Siç edhe e dini, sundimi i rendit dhe ligjit mbetet një ndër prioritetet e renditur në axhendën e Qeverisë që unë drejtoj, ndaj ky takim është i një rëndësie të veçantë. Sundimi i ligjit si një parakusht për funksionimin normal të shtetit dhe shoqërisë është dhe mbetet vlera më e çmuar e shoqërive moderne. Ne mbetemi fuqimisht të përkushtuar që axhendën e qeverisë ta çojmë përpara deri në realizimin e objektivave tona të përbashkëta në këtë fushë të rëndësishme”.
“Mirëpo, dëshiroj të theksoj që mbetet edhe shumë për të bërë. Shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, zbatimi i plotë i ligjeve, zbatimi i axhendës evropiane, janë disa nga sfidat që ne ballafaqohemi çdo ditë dhe kërkojnë një përkushtim dhe angazhim të përbashkët nga të gjithë ne”, tha ndër të tjera kryeministri i Republikës së Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›