E Diel, 1 Nëntor 2026

Londer anullohen qindra fluturime nga mjegulla

Britania e Madhe prej dy ditësh është përfshirë nga një mjegull e dendur e cila ka detyruar dhe pezullimin e qindra fluturimeve në aeroportin Heathrow.

Dhjetë avionë që duhet të niseshin edhe nga aeroporti London City u detyruan të qëndrojnë në tokë për shkak të kushteve të këqija të motit dhe dukshmërisë tepër të ulët. Autoritetet e Heathrow-t, aeroportit më të ngarkuar në Britani me rreth 1.300 fluturime në ditë, u kërkuan pasagjerëve të kontaktojnë me kompanitë ajrore përpara se të nisen për udhëtim. 132 fluturime, 50 ndër të cilat të British Airways, u anulluan ditën e djelë si pasojë e mjegullës që kishte përfshirë vendin.

Disa linja ajrore po shikojnë mundësinë për t'i kaluar pasagjerët në fluturime të tjera, ndërsa një pjesë kanë marrë masa për akomodimin e tyre nëpër hotele. Shërbimi Britanik i Meterologjisë paralajmëroi se mjegulla mund të vazhdojë të shkaktojë probleme.

Këshilla për kujdes janë lëshuar edhe për drejtuesit e automjeteve, të cilëve u kërkohet të tregojnë edhe më shumë vëmendje.

Një paralajmërim nga mjegulla e dendur është lëshuar për disa disa rajone jugore të vendit, ndërsa ka raporte se ajo ka prekur edhe pjesë të Gjermanisë, Hollandës dhe Belgjikës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›