Bulqizë, mblidhet këshilli sindikal i minierës
Këshilli sindikal i minierës së Bulqizës do të mblidhet sot për të diskutuar në lidhje me rifillimin e punës në minierë. Sindikata e minatorëve ka kërkuar nga Reparti i Inspektim Shpëtimit të Minierave (RISHM) të vendosë për rinisjen e punës ndërsa ka kërkuar edhe nga kompania “ACR” të marrë specialistë nga Franca për kryer kontrolle në minierë.
Sipas sindikatës ekspertët francezë kanë aparatura moderne të cilat do të bëjnë të mundur matjen e saktë të sasisë të gazit metan në minierë si dhe për hollimin e tij.
Gjithashtu mbledhja e këshillit sindikal të minierës cila do të drejtohet nga kreu i sindikatave Taf Koleci do të diskutojë edhe për zbatimin e akt-marrëveshjes mes kompanisë ACR dhe konfederatës për përmirësimin e kushteve të punës.
Gjithashtu një tjetër çështje që do të merret në shqyrtim sot nga Këshilli është edhe paga e plotë e minatorëve. Këta të fundit më herët kanë kundërshtuar vendimin e fundit të kompanisë austriake ACR për t`i paguar me gjysmë rroge për periudhën që nuk kanë punuar në minierë.