Morati: Me Romën, Interi më i bukur i Mourinjos
Morati "fluturon" një ditë pas fitores së thellë që Interi ka arritur në Olimpiko kundër Romës. "Skuadra ka bërë lojë të shkëlqyer dhe më ka dhënë ndjesinë se lojtarët kuptohen shumë lehtë me njëri-tjetrin. Duket evolucioni, sipas idesë së Mourinjos," - ka deklaruar presidenti zikaltër që, gjithashtu, ka bërë thirrje për qetësi: "Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë në këtë rrugë. Kampionati është shumë i gjatë dhe kemi edhe Champions Ligën. Ibra meriton "Topin e Artë", por edhe Maikon, sipas mendimit tim". Pra, i ka pëlqyer shumë Interi që ka parë kundër Romës. "Interi më i bukur i epokës "Mourinjo", - ka deklruar numri një i zikaltërve. Eshtë diçka e bukur kur vijnë rezultatet pas disa sakrificave; është bukur për Mourinjon dhe, si rezultat, është bukur për ne. Ekipi ka zhvilluar një lojë perfekte dhe më pas kanë ardhur golat, që e bëjnë më të lehtë gjithçka. Ky është një përmirësim që unë e prisja, por kampionati është i gjatë dhe duhet të luajmë edhe në Champions." Nga ana tjetër, Morati nuk pranon të dëgjojë fjalë për një Romë në krizë: "Besoj se vështirësitë e tyre kanë ardhur edhe nga loja e Interit, sepse në pjesën e parë ata kanë luajtur mirë. Gjithsesi, jam i sigurt që Roma do të kthehet shumë shpejt aty ku i takon," - ka deklaruar Morati.