Thaçi: Kosova merr komandën në veri
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për të përditshëm Kosova Sot ka thënë se pas datës 16 shtator, policët dhe doganierët kosovarë do të jenë në të gjitha pikat kufitare me Serbinë.
Ai ka thënë se shtyrje të vendosjes së doganierëve nuk do të këtë, përderisa ka folur edhe ecurinë e Kosovës për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në BE.
Për veriun, Thaçi ka thënë se shef do të jetë Kosova. “Misioni evropian nuk do të jetë më ‘shefi’ në veri të Kosovës. Institucionet kosovare e kanë komandën prej datës 16 shtatorit. Shtyrje nuk do të ketë”, ka thënë Thaçi.
Sipas Thaçit, operacioni i implementimit të marrëveshjes për vulat doganore do të filloj me 16 shtator.
“Gjithë operacioni do të kryhet nën autoritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës me mbështetjen teknike të EULEX-it dhe krijimin e ambientit të sigurisë nga KFOR-i. Do të këtë angazhim të plotë të respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Do të filloj së funksionuari pika 31 fillimisht, ku do të jetë nën autoritetin e vet komandues dhe ekzekutues autoriteti policor dhe doganor i Kosovës, ndërsa në pikën 1 do të fillojnë përgatitjet teknike për krijimin e kushteve për punë”, ka thënë Thaçi.
Kryeministri kosovar ka folur edhe për vrasjen e policit Enver Zyberi, ku ka thënë se pritet që të këtë edhe arrestime për këtë vrasje.
“Thjesht po. Janë bërë hapat e parë, ata identifikues, të kryesve të vrasjes, nga autoritet kosovare dhe ato ndërkombëtare”.
Ndërkaq për liberalizimin e vizave dhe ecurinë e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, Thaçi ka thënë se Kosova është vendi i fundit që ka fituar lirinë ne rajon nga Serbia.
“Jemi vendi i fundit që e kemi fituar lirinë në rajon nga Serbia dhe jemi vendi i fundit që jemi pavarësuar, prandaj, edhe disa të arritura nuk do të mund të kryhen brenda dy vjetësh ku disa vende i kanë kaluar për 20 vjet. Por, mund të them se Kosova është duke ecur me afat rekord të implementimit të kritereve të Kopenhagës në kuptimin legjislativ, politik por edh ekonomik”
Sipas tij, fqinjësia e mirë është parakusht i domosdoshëm për të gjitha vendet e rajonit në perspektivën tonë euroatlantike. “Janë këto vlera të qytetarëve tanë të vendeve tona, janë vlera që i bashkojnë gjithë popujt e Evropës dhe perspektiva e rajonit është integrimit në strukturat euroatlantike sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Sa i përket ligjeve të Ahttisaarit, Thaçi ka thënë se Kosova tani është vend i pavarur dhe sovran dhe se vendimi për shpalljen e pavarësisë së Kosovë është marrë në koordinim me SHBA-në dhe shtetet e BE-së. “Pavarësia e Kosovës është shpallur mbi bazën e Pakos së Ahtissarit, që është dokument ndërkombëtarë. Dokumentin e presidentit Ahtisari e kanë aprovuar gjithnjë deputetët e Kuvendit të Kosovë në vitin 2007. Pra, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja asokohe nuk ka qenë AKR-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje”. Kështu këto dy parti unë i kuptoj në agjendën e tyre. Por, natyrisht, nuk pajtohem me qëndrimin rreth këtyre çështjeve, mirëpo partitë që e kanë votuar dokumentin Ahttisaari, sot të dalin kundër kësaj agjende programore është një papërgjegjësi e plotë shtetërore, pavarësisht nga dallimet partiake dhe kushdo që të jetë ai deputet. Por, në anën tjetër, diskutimet dhe opinionet ndryshe nuk duhet kuptuar si kundërshti, janë qëllimmira, por këto ligje do të ecin”.