E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Mbledhja e KS-së, e sukseshme për Kosovën

"Paraqitja e ministrit të Jashtëm, Hyseni përpara Këshillit të Sigurimit ishte jashtëzakonisht dinjitoze, shumë argumentuese dhe vlerësuese e progresit të arritur në Republikën e Kosovës, progres ky i arritur si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, vend demokratik dhe shumetenik, me fqinjësi të mirë, me stabilitet rajonal dhe perspektivë euroatlantike", theksoi Thaçi në mbledhjen e qeverisë. "Njohjet e reja të Kosovës, deri tani 65 shtete anëtare të OKB-së, më tej mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve të lira, demokratike, të parat në pavarësi të organizuara nga institucionet vendore, integrimi i komuniteteve në të gjitha sferat e jetës institucionale dhe shoqërore, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me fqinjët, Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, janë arritje që janë përshëndetur, janë vlerësuar dhe po mirëkuptohen e mbështeten nga të gjithë", deklaroi kryeministri kosovar. "Në veçanti kultivimi i raporteve ndëretnike dhe zotimi ynë për të ardhmen e sigurt të vendit dhe qytetarëve tanë është një mesazh shumë i mirë për të gjithë se jemi në rrugë të mbarë të ndërtojmë vendin tonë sipas parimeve, standardeve dhe kritereve më të larta demokratike", theksoi Thaçi."Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, do të vazhdojmë të kontaktojmë me të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit, sidomos me anëtarët e rinj, në mënyrë që t'i bindim që progresi i Kosovës është në interesin, në të mirën e të gjithëve, se mbështja për Kosovën është për një vend të lirë, demokratik, sovran, me perspektivë eurotlantike, e në të njëjtën kohë me perspektivë që në të ardhmen jo të largët të jetë edhe pjesë e OKB-së", u shpreh kryeministri Thaçi. Ai foli edhe për strategjinë e përbashkët të insitucioneve vendore dhe të komunitetit ndërkombëtar për veriun e Kosovës, duke theksuar se "është jashtëzakonisht e përgjegjshme, e matur dhe do të jetë shumë efikase, në veçanti në sundimin e rendit dhe ligjit". Në kuadër të kësaj strategjie, Thaçi paralajmëroi zgjedhje për tri komunat ekzistuese në veri të vendit, Zveçan, Leposaviç e Zubin-Potok, si dhe në komunë e re të Mitrovicës veriore, sipas Paketës Ahtisaari në kuadër të procesit të decantralizimit. Ai theksoi "legjitimimin e tri komunave të reja përmes procesit elektoral, krijimin e komunës së veriut gjithashtu përmes një procesi demokratik, në përputhshmëri të plotë me dokumentin e presidentit Ahtisaari, por edhe me angazhimet shtesë për zhvillimin socioekonomik edhe në veri të Mitrovicës". Kryeministri Thaçi paralajmëroi formimin e grupeve të punës në ditët e ardhshme për implementimin e strategjisë së veriut, si dhe krijimin e fondit të veçantë nga qeveria e Kosovës, "i cili do t'i mbulojë të gjitha angazhimet në implementimin sa më të suksesshëm, sa më të shpejtë të strategjisë integruese të qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare për veriun e Mitrovicës".                                                                                              

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›