E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Ndarja e Kosovës do të hapte çështjen e ndryshimit të kufijve në Ballkan

Prishtinë, 6 mars - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se ndarja e Kosovës do të hapte çështjen e ndryshimit të kufijve në Ballkan, prandaj askush nuk është i interesuar për hapjen e saj.

“Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, i njohur dhe i garantuar ndërkombëtarisht dhe Kosova me këta kufij do të integrohet në NATO dhe në BE”, ka thënë Thaçi për agjencinë “Beta”.

Ai ka thënë më tutje se gjendja e sigurisë është stabile dhe ndër sfidat më të rëndësishme është integrimi i pjesës veriore dhe zbatimi i ligjit në këtë pjesë të vendit.

“Serbët e Kosovës do t’i realizojnë të drejtat e tyre në mënyrën më afirmative në kuadër të respektimit të plotë të integritetit territorial të Kosovës, të forcimit të sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe respektimit të plotë të planit të Ahtisarit”, ka thënë Thaçi. Sipas tij, Kosova është e gatshme që të bisedojë për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, por kurrë nuk do të pranojë të bisedojë për statusin e Kosovës. “Mund të bisedojmë si dy shtete të pavarura për çështjet konkrete në interes të dy vendeve”, u shpreh Thaçi.

Hyseni: Ndahet Kosova, ndahet Ballkani!

Prishtinë, 6 mars - “Po të ketë ndarje, ndryshimi i kufijve nuk do të ndalet në Kosovë, por do ta përfshijë gjithë Ballkanin”, i ka thënë radio “Dukagjinit”, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni.

“Kërkesa për ndarje nënkupton destabilizim të tërë rajonit”, ka vlerësuar shefi i diplomacisë kosovare. Ai ka pohuar se tema e ndarjes është lançuar nga Beogradi për të parë reagimet në Kosovë. “Nuk ka ndarje të Kosovës”, ka theksuar Hyseni. Ai shtoi se ndarja do të nënkuptonte ndryshim të kufijve të të gjithë Ballkanit.

Ministri ka fajësuar Beogradin që po e pengon integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe europiane. “Pengesat që Beogradi po i vendos në rrugën e konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës rrjedhimisht po e pengojnë edhe integrimin e pjesës tjetër të Ballkanit në BE”.

Gjatë kësaj interviste, Hyseni ka përmendur mundësinë që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jetë neutral. E, ky qëndrim, sipas tij, do të ishte në të mirë të Kosovës. “Mendimi i Gjykatës do të jetë krejtësisht i paadresuar, neutral, që do me thënë në të mirë të Kosovës, sepse do të dalë pikërisht ajo që e kemi thënë. Pavarësia e Kosovës është çështje me të cilën Gjykata duhej të merrej fare”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›