E Diel, 1 Nëntor 2026

Borchardt: Shqipëria rrezikon hapa prapa në rrugën drejt BE

Liderët shqiptarë duhet të gjejnë zgjidhje për çështjet e hapura që mbajnë peng politikën. Në rast të kundërt, Shqipëria rrezikon integrimin në Bashkimin Europian. Alarmi i ambasadorit gjerman në Shqipëri, Bernd Borchardt, është i qartë dhe i kuptueshëm. "Dëmi i parë ka ndodhur tashmë, por do të mund të korrigjohej nëse do të vendosej një dialog politik i vazhdueshëm e konstruktiv", - thekson kryediplomati gjerman në Tiranë. Në një intervistë në emisionin "Diplomaticus", në "News24", ai deklaron se nëse situata nuk do të ndryshojë, BE-ja nuk do të japë rekomandimin për të nisur bisedimet me Shqipërinë, dhe kjo nuk do të ishte aspak e këndshme. Sipas tij, Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të përmbushur standardet e vendosura nga blloku europian, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Borchardt sqaron gjithashtu pse Gjermania hezitoi të jepte "viston" për të shqyrtuar aplikimin e Shqipërisë për në BE, por qartëson se kjo ishte vetëm një çështje teknike dhe jo vendim politik.
Zoti ambasador, Shqipëria ka aplikuar për anëtarësimin në BE dhe po përpiqet të përmbushë kriteret për të siguruar statusin e vendit kandidat dhe më pas të integrohet së shpejti në strukturat europiane. Si i gjykoni arritjet e deritanishme të Shqipërisë dhe çfarë duhet të bëjnë më shumë institucionet për të qenë më pranë BE-së së shpejti?
Për statusin e kandidatit, Bashkimi Evropian vë si parakusht rendin demokratik, respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, si dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave, lejimin e partive politike, një sistem gjyqësor funksional dhe një luftë efikase kundër korrupsionit.
Progres-raporti i fundit i Komisionit të BE-së, në tetor 2009 konstatonte mangësi në këtë drejtim, veçanërisht në dy sektorë: për sa i përket gjyqësorit, tërhiqet vëmendja në lidhje me mungesën e një strategjie të përgjithshme për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, përpjekjet e qeverisë për të reduktuar pavarësinë e drejtësisë, mungesën e efiçencës dhe transparencës në procedurat gjyqësore, si dhe një tendencë e ekzekutivit në përpjekje për të ushtruar kontroll mbi institucionet e pavarura. Korrupsioni cilësohej si një problem serioz për Shqipërinë. Komisioni kërkoi një angazhim sistematik dhe strategjik për të luftuar korrupsionin dhe kulturën e pandëshkueshmërisë në mënyrë të efektshme. Ai konstatonte që duhen vendosur dënime dhe sanksione në rastet e korrupsionit, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Këta janë sektorë qendrorë ku Gjermania e inkurajon Shqipërinë në mënyrë të përsëritur, madje e mbështet edhe financiarisht, në mënyrë që të arrihet një progres sa më i shpejtë i mundshëm.
Cilat janë fushat specifike ku Shqipëria duhet të ngulmojë më shumë për të përmirësuar performancën e saj, në mënyrë që të arrijë më shpejt në bllokun europian?
Krahas asaj që sapo thashë, Shqipëria duhet të përmbushë edhe kriteret ekonomike: Vendi juaj duhet të ketë një ekonomi tregu funksionale, si dhe duhet të jetë i aftë t'i bëjë ballë trysnisë konkurruese dhe forcave të tregjeve brenda Bashkimit Evropian.
Kriteri i tretë thelbësor është që Shqipëria duhet të jetë në gjendje të realizojë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi, me fjalë të tjera, të zbatojë të gjithë kuadrin ligjor dhe politikat e BE-së. Progres-raporti na tregon fusha ku Shqipëria ka bërë progres, si dhe ato ku ekzistojnë ende mangësi pjesërisht të konsiderueshme.
Në raport përmendet edhe një sektor kyç, ku është i domosdoshëm konsolidimi: në pjesë të ndryshme të tij progres-raporti nënvizon nevojën urgjente të konsolidimit të kapaciteteve administrative në të gjitha institucionet. Ekziston, në fakt një kuadër ligjor për administratën publike, por raporti kritikon faktin që nëpunës publikë vazhdojnë të ndërrohen dhe largohen nga puna, si dhe thekson procedurat jotransparente të punësimit në sektorin publik.
Një sektor tjetër që meriton të përmendet është ai i të drejtës së pronës, e cila është jo vetëm një prioritet i BE-së, por ka një rëndësi të veçantë edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj në Shqipëri.
Pati një moment delikat, nëse mund të themi kështu, mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në shtator të vitit të kaluar, kur vendi ynë priste miratimin e shqyrtimit të aplikimit për në Bashkimin Europian dhe Gjermania hezitoi të jepte "viston". Pse ndodhi kjo dhe, a është kapërcyer ky moment tashmë?
Ky ka qenë një problem teknik-juridik dhe jo një problem politik. Gjykata Kushtetuese në Gjermani ka vendosur që me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, parlamenti gjerman duhet të jetë më aktiv në marrjen e vendimeve të rëndësishme në politikat e Evropës.
Për këtë ne duhet të prisnim për të dhënë miratimin tonë, deri sa të mblidhej parlamenti, pasi siç e dini, vjeshtën e vitit të kaluar edhe në Gjermani u zhvilluan zgjedhjet. Kështu që para konstituimit të parlamentit për qeverinë, ishte e pamundur të vepronte në lidhje me këtë çështje.
Si janë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë aktualisht? Në cilat fusha mund të zgjerohet bashkëpunimi?
Bashkëpunimi mes Gjermanisë dhe Shqipërisë shtrihet në shumë fusha. Së pari do të doja të ndalesha në bashkëpunimin në kuadër të politikave të zhvillimit. Qysh prej vitit 1988, Gjermania ka vënë në dispozicion afro 900 milionë euro për këtë bashkëpunim. Në dy vitet e fundit ne i kemi rritur fuqishëm ndihmat tona: nga 20 milionë në vitin 2007, në afro 130 milionë për 2008/2009. Pra, është trefishuar. Pikat kyçe janë prodhimi i energjisë elektrike dhe transporti, furnizimi me ujë të pijshëm dhe menaxhimi i ujërave të zeza dhe mbeturinave dhe zhvillimi i ekonomisë. Në fushën e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet kompanive private, konstatoj me kënaqësi se që nga koha në të cilën unë ndodhem këtu, interesi është rritur dukshëm. Ju ndoshta e dini se kompania farmaceutike shqiptare 'Profarma' është blerë nga një kompani gjermane, nga "Dermapharm"; Aeroporti Kombëtar është ndërtuar që para ardhjes sime, kryesisht nga një firmë gjermane. Shërbimi i ngarkim-shkarkimit në portin e Durrësit tashmë menaxhohet nga një firmë gjermane. Një tjetër kompani e madhe gjermane po planifikon në Rinas një qendër gjigante biznesi dhe logjistike me vlerë prej mbi 100 milionë eurosh. Dhe, veç këtyre që përmenda ka dhe shumë iniciativa të tjera. Dialogu politik është intensiv. Presidenti i Bundestagut Gjerman zhvilloi në muajin shkurt një vizitë në Shqipëri. Ndërkohë që Presidenti Topi do të udhëtojë së shpejti drejt Gjermanisë për një vizitë. Edhe në nivel të lartë zyrtarësh, gjatë javës janë zhvilluar takime. Pra, mund të themi se kemi një shkëmbim mjaft vital.
Në fushën e kulturës, ju me siguri keni dëgjuar për "Tetorin Gjerman", të cilin ne e organizojmë çdo vit që nga viti 2007 e që përfshin një sërë aktivitetesh kulturore. Një projekt, për mendimin tim, veçanërisht i mirë është bashkëpunimi me gjimnazin "Sami Frashëri" në Tiranë, ku është hapur një seksion dygjuhësh. Aty nxënësit nuk e mësojnë gjermanishten vetëm si një gjuhë të huaj, por ata mësojnë edhe lëndët e tjera në gjermanisht. Këto janë fushat kryesore të bashkëpunimit.
Që nga momenti që nuk siguroi dot liberalizimin e vizave, Shqipëria ka angazhuar të gjitha kapacitetet e saj për të përmbushur kushtet teknike të procesit. A mendoni se Shqipëria ka qenë e suksesshme në këtë pikë deri tani?
Unë shoh një interes të fuqishëm në pjesën më të madhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të miratuar heqjen e regjimit të vizave sa më shpejt të jetë e mundur, menjëherë sapo të jenë përmbushur kushtet, për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Ne i ndjekim me shumë vëmendje dhe i inkurajojmë hapat përpara të Shqipërisë në këtë drejtim. Sinjalet e ekspertëve lidhur me kapitujt I, II, dhe IV të Udhërrëfyesit për Heqjen e Vizave janë relativisht pozitive. Unë jam optimist që këtu nuk do të ketë probleme. Me rëndësi qendrore do të jetë rezultati i analizës së shportës III, "Rendi dhe siguria publike". Këtu duhet peshuar mirë, nëse Shqipëria ka bërë mjaftueshëm progres që prej misionit të fundit për heqjen e vizave 2009 dhe progres-raportit të tetorit 2009. Në tetor, Komisioni i BE-së konstatoi se krimi i organizuar në Shqipëri ishte një shqetësim serioz. Në lidhje me pastrimin e parave, progres-raporti theksonte se Shqipëria ndodhet në një stad të hershëm të përballjes me këtë ky problem. Në këtë kontekst, janë veçanërisht problematike grupet kriminale të rangjeve të larta dhe transaksionet e dyshimta me vlera të mëdha. Në luftën kundër lëndëve narkotike, Lazarati vazhdon të jetë një problem i madh. Sikurse e thashë, çështjen e korrupsionit progres-raporti e cilëson si një problem me pasoja veçanërisht të rënda. Pas publikimit të progres-raportit, 'Transparency International' konstatoi madje që Shqipëria kishte bërë hapa mbrapa. Progres-raporti fliste për një kulturë të pandëshkueshmërisë dhe të implementimit selektiv të masave antikorrupsion. Ne jemi të vetëdijshëm se që prej progres-raportit janë miratuar strategji dhe ligje të veçantë në këta sektorë.
Tani çështja mbetet implementimi dhe sanksionimi i ekuilibruar. Në këtë kontekst, ne inkurajojmë përpjekje edhe më të mëdha dhe një angazhim më të madh resursesh. Suksesi i madh i operacionit të javëve të fundit kundër tregtimit të lëndëve narkotike ka qenë një kontribut mjaft i mirë në këtë kontekst. Gjermania ka vënë pothuaj 1 milion euro në dispozicion për të mbështetur Shqipërinë në sektorët veçanërisht kritikë të menaxhimit të krizave, kontrabandës dhe korrupsionit. Pikërisht në këto fusha Shqipëria duhet të bëjë më shumë, në mënyrë që ne të mund të bindim deputetët dhe qytetarët e BE-së që kushtet e Udhërrëfyesit për heqjen e vizave janë përmbushur.
Situata politike në vend ka qenë problematike që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Tashmë ka një shans për zgjidhjen e krizës me negociatat mes dy partive kryesore. A mendoni se këto negociata do të rezultojnë të suksesshme?
Kolegët e mi në BE dhe unë kemi bërë gjithnjë thirrje që udhëheqësit e politikës shqiptare të gjejnë një zgjidhje për problemet ende të hapura.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian do të pësojë kthim prapa. Unë besoj që dialogu i nisur me ndërmjetësimin e Presidentit Topi është një hap i mirë dhe i duhur, por ai duhet të gjenerojë rezultate që i lejojnë opozitës të kthehet në Parlament dhe të ngrejë atje një komision hetimor parlamentar, i cili do të marrë në konsideratë kërkesat e të dyja palëve, pra edhe të punojë në përputhje me Kushtetutën, por edhe të sigurojë transparencën.
Shqipëria do të dorëzojë në të ardhmen e afërt përgjigjet e pyetësorit të Komisionit në Bruksel. Pas kësaj, Komisionit do t'i duhet të vendosë nëse ai u rekomandon shteteve anëtare të nisin bisedimet me Shqipërinë. Sikurse e sqarova edhe në hyrje, kriteri qendror për këtë është, që demokracia dhe shteti ligjor në Shqipëri të mund të funksionojnë. Duke qenë se Parlamenti aktualisht nuk funksionon si duhet, ekziston një rrezik i konsiderueshëm që Komisioni i BE-së të mos e japë këtë rekomandim.
Pavarësisht nga negociatat dhe ndryshimi i mundshëm i klimës politike në vend, në këndvështrimin tuaj, sa e ka dëmtuar kriza politike në vend procesin e përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian?
Në opinionin publik evropiano-perëndimor dëmi i parë ka ndodhur tanimë, por me kalimin e kohës ky dëm do të mund të riparohej nëse do të gjendej një zgjidhje e shpejtë kompromisi dhe do të vendosej një dialog politik konstruktiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›