Thaçi: Nuk do lejojmë që 21 janari të ndodhë në Prishtinë

Hashim Thaçi
Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës një ditë pasi etiketojë Vetëvendosjen në të njëjtën mënyrë siç bëri Berisha me aleancën Kuqezi, ka shkuar më tej duke krahasuar nismën e VV për 14 janarin me ngjarjen e 21 janarit në Tiranë.
Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje, që ti quaj Vetëfundosje, do të vetëfundosen, por nuk do të lejojmë që Kosovën ta fundosin në asnjë rrethanë. Nuk do të lejojmë gjithashtu qëllimin e këtyre krerëve të kësaj partie që janarin e vitit të kaluar të Tiranës ta sjellin këtë janar në Prishtinë. Shteti i Kosovës do të funksionojë në mekanizmin e vet kushtetues dhe ligjor, dhe këta krerë morën përgjegjësi personale për inicimin e këtyre veprimeve të paralajmëruara të dhunshme ndaj institucioneve dhe shtetit të Kosovës, është shprehur Thaçi.
Thaçi ka lidhur këto 14 janarin edhe me një zhvillim tjetër duke thënë se pak ditë pas 14 janarit, Prishtinë do ta vizitojë komisionererja e KE-së për Punët e Brendshme, Sesilia Malmstrom.
Viti 2012 është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Republikën e Kosovës. Ne me datën 19 janar do të kemi vizitën e komisionerës Malstrom për dorëzimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave në Republikën e Kosovës, ndërsa me 24 janar do të dilet me qëndrimin e qartë se viti 2012 do të jetë viti përmbyllës i pavarësisë së mbikëqyrur në Kosovë, është shprehur kryeministri i Kosovës.
Ai ka shtuar më tej se paralajmërimet e Vetëvendosje për bllokimin e pikave kufijtare me Serbinë janë mesazhet më të këqija të mundshme që mund ti ndodhnin Kosovës në këtë kohë pasi tejkalojnë çdo autoritet kushtetues, legal dhe moral.
Paralajmërimet e tyre për veprime të dhunshme, janë diçka që më së paku i duhej Kosovës në këtë kohë. Nuk është në rolin opozitar, por të një grupi joformal, pa ndonjë objektivë në kuptimin e reformave, por plotësisht kundër-kushtetues, ligjor, anti-reformator, është shprehur Thaçi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.