E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Nuk do të ketë kthim prapa

Nga Express më 27 korrik 2011 në ora 22:18

(E plotesuar) Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ne konferencën e jashtëzakonshme te shtypit ka thene se pas huliganeve serb, te cilet kane sulmuar pikat kufitare 1 dhe 31, qendron Beogradi.

Ai ka paralajmeruar se nuk do te terhiqen nga Veriu.

Thaci ka ftuar qytetarët që ta ruajnë qetësinë dhe që të kenë besim tek institucionet e Kosovës.

Fjala e plote e kryeministrit:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës

Dua t’iu drejtohem pas zhvillimeve të reja në veriun e Kosovës.

Pas përfundimit me sukses të operacionit të njësive special të policisë së Kosovës në veri të vendit, ato janë tërhequr dhe policia kufitare dhe doganieret janë vendosur në pikën 1 dhe 31.

Aty ishin vendosur policia kufitare dhe doganieret e Republikës së Kosovës.

Fatkeqësisht, në orët e pasdites, një grup i organizuar kriminal i udhëhequr nga liderët e strukturave paralele serbe dhe autoritetet e Beogradit, kanë sulmuar fillimisht pikën 1, e më pas atë 31.

Këto veprime të dhunshme janë urdhëruar, koordinuar dhe udhëhequra nga strukturat me të larta politike të qeverisë së Serbisë.

Kjo është vërtetë për të ardhur keq.

Derisa po ju drejtohem, Forcat e KFOR-it dhe policia e Kosovës janë duke bërë përpjekje me te gjitha forcat për të mbajtur kontrollin në pikën 31 dhe për të rikthyer prezencën në pikën 1.

Nuk do të këtë asnjë kompromis.

Reciprociteti me Serbinë do të instalohet.

Aktualisht kemi vështirësi dhe ballafaqime, por nuk do të tërhiqemi në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim, kjo është toka jonë, është vendi ynë, është e drejta jonë kushtetuese dhe ligjore.

Para së gjithash, dua t’ju drejtohem qytetarëve të Kosovës dhe t’u bëj apel që ta ruajnë qetësinë dhe të hënë besim në institucionet e Kosovës dhe në KFOR-in, i cili është në mbështetje të përpjekjeve tona për ruajtjen e rendit, qetësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Dua t’ju siguroj që nuk do të ketë kthim prapa dhe skenari i Serbisë për ndarjen e veriut të Kosovës nuk do të ndodhë kurrë dhe me asnjë çmim.

Ruajtja e qetësisë, sigurisë dhe tërësisë territorial të Republikës së Kosovës është detyra jonë parësore.

Për këto parime nuk do të ketë kompromis.

Është e qartë që turmat e dhunshme kriminale, të motivuara dhe financuara nga autoritetet e Beogradit po synojnë që ta sfidojnë integritetin tonë.

Me veprimet e sotme edhe një herë është demaskuar publikisht politika e Beogradit ndaj Kosovës.

Po ne, nuk do të biem në grackën e tyre.

Ju ftoj që të ruani qetësinë, dhe të keni besim në ne.

Të besoni në institucionet e Shtetit të Kosovës dhe në KFOR-in-m NATO-n.

Ju garantoj që do ta kthejmë rendin dhe ligjin.

Keni besim në ne.

Ruani qetësinë.

Ne nuk do të zmbrapsemi.

Për Kosovën do të këtë ecje përpara.

Buhler: Situata është nën kontroll, s’ka vend për panik

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler, ka paralajmëruar të gjithë ekstremistët se KFOR-i është plotësisht i përgatitur dhe ka autorizimin dhe vullnetin për të përdorur të gjitha mjetet për të ruajtur rendin dhe sigurinë në Kosovë.

Në një intervistë për RTK, komandanti i KFOR-it ka thënë se në veri situata është e tensionuar, por është nën kontroll dhe se nuk ka vend për panik.

“KFOR-i ka të gjitha mjetet për të rikthyer mjedisin e sigurt dhe rendin atje”, ka thënë Buhler.

KFOR-i shton masat e sigurisë në Veri

KFOR, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se "pas një dite demonstrimi, situata u përkeqësua në Pikën Doganore 1 në Jarinje, dhe është konfirmuar se persona të panjohur kanë vënë zjarr në këtë pikë kufitare".

Gjithashtu janë konfirmuar raportimet për të shtëna ndaj personelit të KFOR-it në afërsi. Forcat e KFOR-it të vendosura atje do të përforcohen gjatë mbrëmjes në mënyrë që të parandalohet eskalimi i mëtutjeshëm i situatës, thuhet në njoftim.

"Ky do të jetë një proces në vazhdim dhe KFOR-i pret që pas përforcimit, rendi to të rivendoset shumë shpejt".

Në pikën kufitare 31 në Bernjak KFOR-i ka shtuar masat e sigurisë dhe mbrojtjes
personale në atë lokacion.

Komandanti i KFOR-it, Gjenerali Erhard Buhler, sot ka marrë pjesë në disa takime me liderë politikë nga të dyja palët për të negociuar një zgjidhje në bazë të deklaratës së djeshme tre-pikëshe:

"Të gjitha njësitë ROSU do të kthehen në Jug; Bllokadat rrugore të Serbeve do të hiqen; Oficerë “të thjeshtë” të Policisë së Kosovës të dy etniciteteve do të vendosen në Pikën Doganore në Jarinje", thuhet në njoftim.

Gjeneral Majori Buhler apelon tek të gjithë njerëzit paqësorë të Kosovës të
abstenojnë nga dhuna dhe të mbështesin një zgjidhje paqësore për krizën e
tanishme.

Tadiq e Bogdanoviq dënojnë djegien e pikës kufitare

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të dhunës në Jarinë dhe vendosjen e paqes.

“Huliganët që nxisin dhunë nuk janë ata që mbrojnë as qytetarët dhe as shtetin e Serbisë”, ka thënë Tadiq dhe ka ftuar serbët e Kosovës që të vetëpërmbahen.

Ministri serb për Kosovën Goran Bogdanoviq ka dënuar sot djegien e pikës kufitare në Jarinë dhe u ka bërë thirrje serbëve në veri të Kosovës që të mos lejojnë që grupet ekstremiste të nxisin konflikt.

“Grupet ekstremiste e kanë bërë më të keqen, për të cilën nuk kemi shpresuar. Ajo që ka ndodhur është për çdo gjykim. Nuk mund t’i zgjidhim kështu problemet”, ka thënë Bogdanoviq.

Ai ka thënë se qeveria serbe do të bëjë gjithçka që “konflikti të mos përshkallëzohet”.

Ushtarët amerikanë bllokojnë rrugën në Leshak

Pika kufitare në Jarinje vazhdon të digjet, ndërkohë që rreth orës 20:00 pjesëtarët amerikanë të KFOR-it kanë bllokuar rrugën në drejtim të Mitrovicës.

Ata kanë bllokuar rrugën me automjete të rënda ushtarake, saktësisht në afërsi të Leshakut, ndërkohë që nuk lejojnë të kalojnë askënd në këtë drejtim.

Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se edhe në pikën kufitare në Bërnjak ka pasur tentim për djegie, por që një gjë e tillë është pamundësuar nga pjesëtarët e KFOR-it francez.

KFOR-i gjerman thyen barrikadat serbe, niset drejt Jarinjes

Dhjetëra automjete të blinduara të KFOR-it gjerman, të cilat për disa orë ishin të stacionuara të vendi i quajtur “Kërrshi i Dudës” në vëri të Mitrovicës, i kanë thyer barrikadat e vëna nga grupet ekstremiste serbe dhe janë nisur në drejtim të pikës kufitare Jarinje, për t’u shkuar në ndihmë pjesëtarëve tjerë të KFOR-it për të vënë rendin dhe ligjin në këtë pikë kufitare.

Pika kufitare në Jarinje është duke u djegur. Një grup i serbëve të armatosur nga veriu i Mitrovicës, rreth orës 19.00 është afruar pranë kufirit në Jarinje dhe ka larguar të gjithë njerëzit e pranishëm aty dhe përnjëherë ia kanë vë flakën pikës kufitare. Pastaj kanë hyrë me ekskavator duke i rrënuar të gjitha objektet që gjenden në këtë pikë.

Ata kanë qenë të maskuar me kapela dhe syze, ndërkohë që janë vërsulur në disa pjesëtarë të KFOR-it, duke shtënë me armë zjarri në ta, të shtënave u janë kundërpërgjigjur edhe ushtarët e KFOR-it. Ta shtënat me armë janë duke u dëgjuar akoma. Nuk dihet për të vrarë apo të plagosur.

Burime të Kosovapress-it nga vendi i ngjarjes njoftojnë, se në momentin kur grupi i armatosur serbë kishte ardhur në pikën kufitare Jarinje për t’i vënë flakën, pjesëtarët e EULEX-it rumun dhe polak nuk kanë intervenuar, por janë larguar nga vendi i ngjarjes pa tentuar për t’i parandaluar.

Serbët djegin pikën kufitare në Jarinje

Serbët i kanë vënë zjarrin pikës kufitare në Jarinje. Një grup i serbëve të armatosur nga veriu i Mitrovicës, rreth ores 19 i është afruar pranë kufirit në Jarinje dhe ka larguar të gjithë njerëzit e pranishëm aty dhe përnjëherë ia kanë vë flakën pikës kufitare, raporton KosovaPress.

Pastaj kanë hyrë me ekskavator duke i rrënuar të gjitha objektet që gjenden në këtë pikë.

Ata kanë qenë të maskuar me kapela dhe syze, ndërkohë që janë vërsulur në disa pjesëtarë të KFOR-it, duke shtënë me armë zjarri në ta, të shtënave u janë kundërpërgjigjur edhe ushtarët e KFOR-it. Ta shtënat me armë janë duke u dëgjuar akoma. Nuk dihet për të vrarë apo të plagosur.

Burime të Kosovapress-it nga vendi i ngjarjes njoftojnë, se në momentin kur grupi i armatosur serbë kishte ardhur në pikën kufitare Jarinje për t’i vënë flakën, pjesëtarët e EULEX-it rumun dhe polak nuk kanë intervenuar, por janë larguar nga vendi i ngjarjes pa tentuar për t’i parandaluar.

Kjo është hera e dytë që kjo pikë kufitare digjet nga serbët. Herën e parë është djegur së bashku më piken tjetër kufitare në Bërnjak, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›