Thaçi: Pa implementim të marrëveshjeve, s’ka dialog

Sipas tij, për këtë qëndrim, qeveria e Kosovës, e ka mbështetjen edhe të partnerëve ndërkombëtar.
Ai gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë ka thënë se Kosova, gradualisht, po i afrohet 2 korrikut kur mblidhet Grupi Drejtues Ndërkombëtar (GDN), kur edhe merret vendimi për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Sipas tij, kjo po tregon se shteti i Kosovës gjatë kësaj periudhe ka kaluar me sukses këtë periudhë të shtetndërtimit me implementimin e plotë të planit të Ahtisaarit.
Shefi i qeverisë ka thënë se tani Kosova është në fazën përfundimtare dhe se nxjerrja e legjislacionit që ka mbetur gjithashtu edhe ndryshimet kushtetuese do të përmbyllen me kohë. Edhe për sa i përket integrimit të komuniteteve, Thaçi ka thënë se po punohet, duke përmendur hapjen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës.
Gjithashtu, ai ka thënë se do të vazhdohet bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe BE-në që të punohet më tepër për vazhdimin e implementimit të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, në veçanti bashkëpunimit regjional dhe IBM-it.
“Fillimisht duhet të ndodhë plotësisht implementimi i marrëveshjeve të arritura. Prandaj kemi dhënë një përgjigje që të mos ketë keqinformime. Pozicioni i Prishtinë është shumë i qartë, është pozicion edhe me mbështetje ndërkombëtare”, ka theksuar Thaçi, siç transmeton Kosovapress.
Po ashtu, ai ka shtuar se do të punohet vazhdimisht dhe se do të dëgjohen hallet e qytetarëve në veri. Sipas tij, ky është edhe obligim kushtetues.
Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka kërkuar nga kabinetin qeveritar që të ndaj një shumë prej 20 mijë euro për tërmetin që ka ndodhur në veri të Italisë, ku kanë mbetur 17 të vdekur.
“Republika e Kosovës ka marrëdhënie të shkëlqyera me Italinë. Në emër të Qeverisë unë i kam përcjell ngushëllimet tona ministrit të Jashtëm të Italisë. Mirëpo do të ishte mirë nëse në emër të Qeverisë në mbështetje prej 20 mijë eurosh. MPJ-ja ka mjetet në dispozicion dhe do të ishte një vendim simbolik i simpatisë dhe mbështetjes sonë”, ka thënë ministri Hoxhaj.
Gjatë mbledhjes së sotme të kabinetit qeveritar është miratuar edhe Projektligji për shëndetësi.