Thaçi-Pahor: Sllovenia, mbështeje Kosovës për heqjen e vizave

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar në Lubjanë, homologun e tij slloven, Borut Pahor. Në takim është diskutuar për forcimin dhe bashkëpunimin e dy vendeve mike, për mbështetjen sllovene për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për temat tjera me interes.
Kryeministri Thaçi i shprehu mirënjohjen kryeministrit Pahor për mbështetjen që Sllovenia i ka dhënë avancimit të proceseve demokratike dhe zhvillimit në Kosovë dhe shtoi se bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë është modeli më i mirë i bashkëpunimit të suksesshëm të vendeve të rajonit.
Thaçi theksoi rëndësinë e mbështetjes sllovene për qeverinë kosovare lidhur me procesin e integrimeve evropiane, e posaçërisht për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim, kryeministri Thaçi mori mbështetjen e homologut të tij slloven, që Sllovenia do të vazhdojë të jetë mbështetëse e Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave.
Nga ana e tij, kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, vlerësoi lartë bashkëpunimin mes Qeverisë së Sllovenisë dhe Qeverisë së Kosovës dhe, shprehu bindjen se ky proces i bashkëpunimit do të avancohet në të gjitha fushat, me theks të veçantë në fushën e zhvillimit ekonomik. Pahor theksoi se perspektiva e Kosovës është e qartë, ajo është perspektiva evropiane dhe në këtë proces të rëndësishëm Sllovenia do të jetë mbështetësja e Kosovës.