E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Raporti i Progresit, vlerësim real

Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar Raportin e Progresit që u është dorëzuar dje institucioneve të Kosovës nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian, si një vlerësim real dhe hapje e perspektivës së sigurt evropiane për Kosovën.

"Ky është një raport që vlerëson stabilitetin institucional, stabilitetin politik, respektimin e plotë dhe afirmativ të minoritarëve, integrimin e tyre në jetën institucionale politike, shoqërore; respektimin e ligjit, vazhdimin e betejës kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, kundër të gjitha dukurive negative, që vlerëson raportet e Kosovës me fqinjët e në veçanti tani, të arriturën mund të themi jetike për paqen, stabilitetin në rajon dhe perspektivën evropiane edhe të marrëdhënieve të reja që do të ndërtohen së shpejti me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, ndërsa Prishtina ka vullnet të mirë të ndërtojë raporte bashkëpunimi edhe me Serbinë”, tha Thaçi, pas një takimi me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim në Komisionin Evropian, Pierre Mirel.

Ai ka falënderuar Komisionin Evropian "për hapjen e perspektivës së sigurt për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, të marrëdhënieve tregtare, të fillimit të dialogut të procesit të Stabilizim Asociimit".

Kryeministri tha se Qeveria do t'i marrë të gjitha këto rekomandime me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë.

Ai theksoi e Prishtina do të vazhdojë të punojë me EULEX-in, ICO-në, në të gjitha prioritetet e përbashkëta, me qëllim të zbatimit në jetë të të gjitha kritereve demokratike, qoftë reformat në drejtësi, qoftë në ekonomi, qoftë në politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›