E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daci: Janë bashkuar shkenca dhe biznesi

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AKR) dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) hapën sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 15 nëntorit. Në një tubim në sheshin "Nëna Terezë" në kryeqytet, këto dy parti prezantuan kandidatët e përbashkët për kryetarë të komunave të vendit.

Lideri i LDD-së, Nexhat Daci, duke folur para simpatizantëve partiakë, tha se me bashkimin e LDD-së dhe AKR-së janë bashkuar dy akademi "një akademi e shkencës dhe e një akademi e punës dhe biznesit".

Pasi ka kritikuar qeverisjen aktuale për korrupsion, Daci ftoi zgjedhësit që të votojnë për koalicionin LDD-AKR. "Kosovë e ke rastin të jesh vetvetja. Kosovë dil në zgjedhje dhe voto AKR-LDD", u shpreh ai.

Nga ana tjetër, lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka qenë më i ashpër në kritikat e tij ndaj qeverisjes aktuale. "Jo më dhunë, jo më me kallashnikovë", ka thënë ai, duke iu bërë thirrje kosovarëve, të votojnë për kandidatët e këtyre dy partive, nëpër komuna.

"Kjo qeverisje, këta njerëz nuk janë interesuar për interesa të popullit, por qysh me i pasuru veten, njerëzit e vet, familjen dhe fëmijët e vet”, ka vazhduar ai. Por, sipas tij, populli nuk mund të mashtrohet dy herë.

Pacolli ka premtuar punë dhe mirëqenie. Por ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, kësaj radhe, ai nuk ka përmendur Kasakistanin, ose vende të tjera të lindjes, ku u kishte premtuar se do t'i dërgonte kosovarët e interesuar për punë.

"Nëse vijmë në pushtet, ne nuk e kemi ndërmend ta kryejmë mandatin si hajna, por me dinjitet", u shpreh Pacolli, në fjalën e tij.

Kandidati për kryetar të kryeqytetit, Vegim Gashi, tha se është gati për ta udhëhequr një Prishtinë të re. "Dhe në këtë rrugë nuk jemi vetëm", u shpreh ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›