E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Serbi mos humb kohë me Kosovën

Katër pikëshi i presidentit serb, Boris Tadiç edhe njëherë është sjellë në vëmendje nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka thënë se ky plan dhe çfarëdo plani që propozon Serbia është i papranueshëm për autoritetet e Kosovës, madje i ka propozuar Serbisë që të mos humbas kohë me çështjen e Kosovës pasi koha për të vendosur për Kosovën ka përfunduar.
Këto komente kryeministri i vendit i ka bërë të mërkurën në mbledhjen e qeverisë, duke thënë se Serbia nuk duhet të merret me hartimin e planeve për Kosovën, pasi Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.
"Ky plan dhe çfarëdo plani tjetër që propozohet nga Serbia është i padiskutueshëm dhe i papranueshëm për ne. Kjo për faktin se Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe sovran dhe vendos vet për çështjet e veta. Serbia duhet ta ketë të qartë se nuk duhet të humbasë kohë as mund për të përgatitur plane për Kosovën. E kaluara jonë me Serbinë është e paharrueshme në kuptimin negativ. Janë të paharrueshme edhe planet që ka pasur Serbia për një shekull të tërë”, ka thënë Thaçi.
Për më tepër, ai ka shtuar se Serbia në shekullin e kaluar ka përpiluar me qindra plane për Kosovën të cilat kanë pasur vetëm një qëllim, pushimin e Kosovës dhe largimin e shqiptarëve nga Kosova.
Numri një i qeverisë së Kosovës tha gjithashtu se koha kur Serbia ka bërë plane për Kosovën ka përfunduar dhe ajo nuk do të kthehet më kurrë, ndaj nuk ia vlen që të merremi me planet e Serbisë.
Pas mbledhjes së qeverisë, në një konferencë për media, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, i pyetur në lidhje me planet e Serbisë për të festuar 100 vjetorin e çlirimit të Kosovës, Kuçi ka thënë se është i befasuar, ndërsa ka kërkuar nga shteti serb që të mos merren me të tjerët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›