E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci: S’ka bisedime sekrete, deklaratat e AAK, qesharake

PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka konsideruar qesharake deklaratat e zyrtarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për zhvillime të bisedimeve sekrete ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Kryeministri Thaçi nuk u përqendrua në akuzat e AAK-së për bisedime sekrete me Serbinë, duke kaluar në një temë tjetër, atë të rëndësisë që ka për Kosovën mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe sesioni i ardhshëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Fitorja historike e Qeverisë, diplomacisë, institucioneve dhe popullit të Kosovës në GJND, është një fitore që duhet t’i gëzohet secili. Prandaj, është një fitore e gjithë shtetit të Kosovës, e gjithë popullit të Kosovës, e miqve, e partnerëve ndërkombëtarë...”.

“Unë siguroj dhe garantoj qytetarët e Republikës së Kosovës se po ashtu edhe në Asamblenë e Përgjithshme do të kemi një lajm të mirë për Kosovën dhe nuk do të kemi më tutje deklarata qesharake”, tha Thaçi.

Gjatë një konference për mediat, anëtari i Kryesisë së AAK-së, Ardian Gjini, tha se ka informacione që Qeveria e Kosovës po zhvillon bisedime të fshehta me Serbinë, pa dijeninë e popullit dhe pjesës tjetër të spektrit politik.

Ndonëse nuk dha detaje se nga kush dhe për çfarë po bisedohet, Ardian Gjini i AAK-së tha se këto bisedime, si të tilla, nuk mund të jenë në të mirën dhe interesin e Kosovës, pasi që, sipas tij, ato po zhvillohen pa dijeninë e opinionit dhe mediave.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›