Thaçi: Takimi me Tadiç, vetëm për njohjen e Kosovës
Njohja e Kosovës qëndron sërish një temë diskutimi, për të cilën kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi shpreh dhe gadishmërinë për të mbajtur një takim me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç.
Ky i fundit është shprehur pozitivisht për një takim me Thaçin, ndërsa temë diskutimi do të mbetej zgjidhja e problemeve dhe jo për promovimin e shtetësisë së Kosovës.
Duke i’ u referuar mediave kosovare, Thaçi ka nënvizuar se në rast të një takimi, do të diskutohej vetëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në takimin e mundshëm me presidentin Tadiç, unë kam vetëm një pikë të diskutimit – njohjen reciproke, të tjerat janë çështje që mund të rregullohen me raporte ndërshtetërore, sikur me të gjitha vendet fqinje. Takimi ynë nuk do të duhej të kuptohej si betejë për ta mundur njëri-tjetrin, Kosova- Serbinë, ose e kundërta, sepse kjo betejë është mbyllur në qershor të vitit 1999 dhe rezultatin e di e gjithë bota. Ky takim eventual, mund ti shërbejë të ardhmes më të mirë të popujve dhe shteteve tona,deklaroi Thaçi.