Gëzimi i Berishës

Sulmuesi kosovar ka qenë hero i klubit australian, duke shënuar dy gola, në fund të takimit. Perth udhëhoqi me autogolin e Ivan Franjicit, të shënuar në minutën e 51-të, kurse ish-futbollisti i Hamburgut fillimisht i barazoi shifrat në minutën e 84-t, ndërsa e shënoi golin e fitores nga penalltia, në minutën e 94-t.
Në praninë e 50 mijë shikuesve, në stadiumin Suncorp Stadium, Berisha me shokë e festuan titullin e dytë rresht të Brisbane Roarit, një gjë e cila nuk kishte ndodhur më parë, që një klub ta fitojë dy herë rresht titullin.
“Të festoja me shokët e skuadrës, të festoja me 50 mijë fansa, kjo thjesht është e jashtëzakonshme. Jam mjaft i lumtur për këtë”, është shprehur 26-vjeçari pas ndeshjes.
- “Për mua, nuk mund të kishte ditë më të mirë. Është momenti më i mirë në karrierën time. Shënova dy gola në finale, kjo nuk është normale”, theksoi përfaqësuesi shqiptar.
Ai ka folur edhe për penalltinë, e cila u kontestua nga kundërshtarët. Berisha mendon se ishte 11-metërsh i pastër, të cilin e nxori vetë dhe e shndërroi më pas në gol. “Po, natyrisht se ishte penallti. Miller më goditi mua, e humba balancën dhe rashë në tokë. Kjo do të thotë se është penallti”, shtoi ai.
Futbollisti prishtinas kaloi nëpër një sezon sensacional. Ai e kishte mbyllur sezonin e rregullt me 19 gola, duke iu afruar në vetëm një gol, rekordit të të gjitha kohëve në A-League. Ndërkaq, ai në fundjavë shënoi edhe dy të tjera, për ta kompletuar sezonin përrallor. Ky ishte titulli i parë në karrierën e Berishës.
Ai u rilind në Australi, pas disa sezonesh të kaluar në klubet evropiane, si Hamburg, AaB, Horsens, Burnley, Rosenborg e mbi të gjitha në Arminia Bielefeld, që kryesisht ishin zhgënjyes. Berisha u zgjodh futbollisti më i mirë i Hyundai A-League nga gazetarët, ndërsa ishte golashënuesi më i mirë i ligës.