Thaçi: Uollers përshëndeti bashkëpunimin PDSH-LSDM

Lideri i opozitës shqiptare Menduh Thaçi pas takimit që realizoi me ambasadorin amerikan Pol Uollers, në rezidencën e tij në Shkup, tha se ambasadori amerikan ka përshëndetur formimin e koalicionit parazgjedhor mes PDSH-së dhe LSDM-së së Cërvenkovskit. Thaçi dhe Uollers, kanë biseduar gjithashtu edhe për fushatën parazgjedhore, listat e kandidatëve për këshilltarë komunal dhe kandidatët për kryetar komunash.
“Temën qendrore e mori bashkëpunimi i vendosur mes PDSH-së dhe LSDM-së, bashkëpunim që u përshëndet nga ana e ambasadorit amerikan Uollers si diçka e re që ndodhë për herë të parë në Maqedoni, një bashkëpunim serioz dhe korrekt ndëretnik mes dy forcave politike para qeverisjes. Biseduam edhe për çështje tjera të organizimit të brendshëm të shtetit, u përmend edhe halli i vjetër që kemi të gjithë si qytetar, bllokimi i procesit integrues”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
I pyetur se edhe sa do ta presë Rufi Osmanin që t`i bashkëngjitet koalicionit parazgjedhor, Thaçi tha se i jep kohë Osmani edhe disa ditë të vendosë nëse do t`i bashkëngjitet dyshes PDSH-LSDM. “Nuk është kjo vendosje e kushtit për zotin Osmani. Ja patjetër, ja kështu nuk ka, por ne jemi në hallin tonë si parti pasi duhet të bëjmë parapërgatitjet për të kandiduar kandidatin tonë në qytetin e Gostivarit”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Lideri i opozitës shqiptare Menduh Thaçi tha se javën e ardhshme planifikon që të takohet me përfaqësues të lëvizjes qytetare PYKA dhe me disa eksponentë të tjerë të shoqërisë civile dhe politikanë, emrat e të cilëve ai nuk i bëri publike.