E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Vetëm ne jemi autoritet vendimmarrës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, konsideroi dje se bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare është institucional dhe në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Duke folur për raportin e përfaqësuesit të BE në Kosovë, Piter Feith, Thaçi theksoi se Kosova do të respektojë gjithmonë rekomandimet dhe këshillat e institucioneve ndërkombëtare, por duke ruajtur autoritetin vendimmarrës të institucioneve të Kosovës.

"Natyrisht që zoti Feith ka përgjegjësinë e tij për të prezantuar opinionet për zhvillimet në Kosovë. Bashkëpunimi i qeverisë së Republikës së Kosovës me ICO-në, EULEX-in, të cilat kanë qenë të ftuar e të mirëpritur në Kosovë, është bashkëpunim i nivelit institucional në shërbim të qytetarëve të Kosovës, duke respektuar këshillat dhe rekomandimet. Por duke ruajtur gjithmonë autoritetin vendimmarrës të institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës", theksoi Kryeministri Thaçi.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian në Kosovë, Feith, pritet të raportojë sot para Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian për gjendjen aktuale në Kosovë. Çështja kryesore e raportimit të Feith, bëhet e ditur paraprakisht, do të jetë ajo e vënies në dijeni të ligjvënësve europianë mbi refuzimin kategorik që Prishtina i ka bërë nënshkrimit të mundshëm të një protokolli bashkëpunimi ndërmjet EULEX dhe Serbisë. Kjo marrëveshje është cilësuar si e domosdoshme për Serbinë, para se ajo të hyjë në zonën e bardhë të "Shengen"-it.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Brukselit deklaruan se protokolli që EULEX do të firmosë me Serbinë nuk ka asgjë të paligjshme. Sipas zyrtarëve të BE-së, EULEX ka të drejtë, madje sipas Kushtetutës së Kosovës, të nënshkruajë marrëveshje teknike me Ministrinë e Brendshme të Serbisë për çështje të mbikëqyrjes së kufirit, bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar etj. Këta zyrtarë duket se mbështesin qëndrimin e deritanishëm të EULEX, pavarësisht se bie ndesh me qëndrimin e Prishtinës zyrtare. Zyrtarë në Bruksel kanë thënë se janë duke debatuar lidhur me raportin, të cilin zyrtarët e EULEX-it i kanë dërguar Brukselit pas incidenteve të fundit në Prishtinë dhe refuzimit për nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›