E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kennedy, fundi i një dinastie

Ahengu pritej të fillonte, por nikoqiri nuk po shihej askund. Ishte ngritur një tendë, bufeja ishte përgatitur. Ishte ditë e shtunë, data 17 maj 2008 dhe mysafirët në rezidencën e Kennedy-t në Hyannis Port, në Cape Cod, filluan të humbin durimin. Të pranishëm aty ishin shumë mysafirë prominentë. Kishte mjaft për të ngrënë, por askush nuk ishte i pranishëm aty për të pritur mysafirët. Ishte kjo dita kur edhe filloi beteja e Kennedy-t me vdekjen. Dhe në njëfarë mënyrë, ishte ky edhe fillimi për atë se kush do të marrë përsipër kryesimin e një prej dinastive të fundit të mëdha politike në SHBA. Një betejë, e cila përjetoi epilogun 15 muaj më vonë, me vdekjen e Kennedy-t.

"Duket se nuk ekziston askush, i cili do të merrte përsipër stafetën", theksoi Thomas Whalen, i cili e ka shkruar biografinë e Kennedy-t dhe profesor i shkencave politike në Universitetin e Bostonit. Drama e fundit e familjes Kennedy, ngritjet dhe rëniet e së cilës kanë mbajtur me dekada të tëra në ankth opinionin publik si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, filloi atë ditë të shtune në maj të vitit të kaluar, në kopshtin e shtëpisë së Kennedy-t. Ahengu ishte paraparë të ishte kulminacioni i ceremonive të organizuara gjatë fundjavës, dedikuar organizatës së bamirësisë Best Buddies, të themeluar nga nipi i Kennedy-t, Anthony Kennedy Shriver. Vetëm disa orë më herët, shërbimi i emergjencës ishte ftuar në shtëpinë e Kennedy-t. Senatori ka qenë duke lozur me qentë e tij dhe në momentin kur ai u ul për të pirë një kafe, ai e kishte humbur vetëdijen. Ai u dërgua në spitalin e Bostonit, ku mjekët zbuluan një tumor malinj në tru.

Me Ted Kennedy-n, familja po humbte njeriun e fundit, i cili edhe më tutje e gëzonte respektin e të gjithëve. Përkundër gjithë pasurisë dhe mirëqenies, të cilën e gëzojnë sot anëtarët e rinj të familjes Kennedy, askush prej tyre nuk ka arritur të ngrihet ende në nivelet e larta. Të gjithë e kishin kuptuar se ishte ky fillimi i fundit i një dinastie. Prapa klishesë së Kamelotit, siç është përshkruar presidenca e shkurtër e John F.Kennedy, kanë ekzistuar shumë skandale dhe intriga, të cilat janë ndërlidhur me këtë familje. Dhe me vdekjen e Tedit, këto tendosje me gjasë do të bëhen edhe më publike. Familja tani ka mbetur pa udhëheqës dhe rrezikon të zhytet në parëndësi. Ted, Bobby dhe John F.Kennedy ishin dikur djelmoshat e artë, të cilët lëvizën përpara dinastinë e krijuar nga i ati, ish-ambasadori Joseph Kennedy.

Njëri prej tyre u bë President, tjetri ishte Prokuror i Përgjithshëm, ndërsa Ted u bë Senator. Por, asnjëri prej tyre nuk ishte në gjendje t‘i shmangej "mallkimit" famëkeq të familjes Kennedy. Vëllai i tyre më i vjetër, Joe, u vra gjatë Luftës së Dytë Botërore. Motra e tyre, Kathleen, vdiq pas një aksidenti ajror në vitin 1948, motra tjetër Rosemary ishte viktimë e një lobotomie të dështuar, nga e cila doli me dëmtime të rënda në tru. Madje edhe suksesi i vëllezërve Kennedy në Washington ishte jetëshkurtër. Brenda pesë viteve, Tedi humbi që të dy vëllezërit, pas atentateve kundër tyre. Aspiratat e tij për t‘u bërë President përfunduan në vitin 1969, pas rënies së automjetit të tij nga një urë në ujë. Përderisa ai arriti të shpëtojë, bashkudhëtarja e tij, Mary Jo Kopechne, vdiq. Por, shkëlqimi mitik i Kamelotit arriti të mbijetojë të gjitha këto tragjedi dhe skandale. Klani ka pasur gjithmonë dy fytyra: një të bukur dhe një të shëmtuar. Pas vdekjes së birit të JFK-së, John F.Kennedy-t juniorit, pas një aksidenti ajror në vitin 1999, familja Kennedy ka mbetur pa trashëgimtarë të natyrshëm. Kathleen Kennedy Towsend, bija më e madhe e Bobby-t, varrosi ambiciet e saj politike në vitin 2002, pas kandidaturës së saj të dështuar për guvernatore të Merylendit.

Vëllai i saj, Bobby junior, angazhohet për mbrojtjen e ambientit. I biri i Tedit, Patrick, është në dhomën e përfaqësuesve, por atij i mungon karizma. Motra e Kennedy-t, Eunice Kennedy Shriver, vdiq më 11 gusht. Në fund, Kennedy vendosi që Caroline Kennedy, fëmija i vetëm i gjallë i JFK-së, të jetë trashëgimtarja e tij politike. Ishte paraparë që Caroline të mbulonte karrigen në senat të Hillary Clinton-it, pas emërimit të saj për sekretare të Shtetit. Ajo fillimisht pranoi këtë sfidë, por më pas shkatërroi gjasat e saj për shkak të ngurrimit të saj që të përballet me opinionin publik. Në janar ajo vendosi të tërheqë kandidaturën e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›