E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi dëbon nga Kosova ministrin serb

Policia ndalon Goran Bogdanoviçin dhe e shoqëron deri në pikën kufitare
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka urdhëruar dje dëbimin e ministrit serb, Goran Bogdanoviç, i cili po udhëtonte në territorin e shtetit më të ri në Europë pa një leje dhe me një mision të posaçëm për të shkatërruar pushtetin vendor të serbëve të Kosovës të zgjedhur në votimet e 15 nëntorit. Pas një tolerimi të gjatë, qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një vendim ekzemplar, duke i treguar hapur Beogradit se është shtet i pavarur dhe që e kontrollon totalisht hapësirën e saj. Ngjarja ka ndodhur dje paradite, kur Goran Bogdanoviç, ministër i Serbisë për Kosovën, ka udhëtuar drejt Komunës Strepçe kur do të instalohej kreu i ri i sapozgjedhur.
Ministri i Beogradit do të takonte kreun e komunës paralele, që është zgjedhur në kuadrin e votimeve lokale të Serbisë. Por rrugës, pasi ka kaluar fshatin Sevce, që ndodhet në jug të Kosovës, një patrullë policie i ka ndaluar makinat që shoqëronin zyrtarin e Beogradit dhe i ka kërkuar që të kthehet mbrapsht, pasi ka një urdhër të qeverisë “Thaçi”, i cili i kërkon Bogdanoviçit ta braktisë Republikën e Kosovës. Zyrtari i Beogradit ka rezistuar, duke kërkuar urdhër me shkrim, por komandanti i patrullës i ka bërë shenjë të kthehet dhe e ka shoqëruar deri në pikën kufitare të Merdares, ku Kosova lidhet zyrtarisht me Serbinë. Ky veprim ka acaruar së tepërmi Beogradin, i cili ka reaguar vetëm me anë të ministrit Bogdanoviç. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka deklaruar dje se Bogdanoviç është kthyer pasi ka qëndruar në Republikën e Kosovës pa lejen e institucioneve të shtetit. Ndërkaq, Bogdanoviç u ka thënë gazetarëve serbë se fjala është për një gjest të padrejtë të autoriteteve të Kosovës, sepse, siç tha, ai është banor i Kosovës dhe pavarësisht funksionit të ministrit, ka të drejtë të lëvizë nëpër Kosovë. Bogdanoviç është ankuar se i janë cenuar të drejtat themelore të njeriut në lëvizjen e lirë, duke thënë se nuk dëshiron të bëjë incident. Ministri në qeverinë e Serbisë ka thënë se bëhet fjalë për një hap të paparë të “autoriteteve të përkohshme në Kosovë”, meqë ai jeton në Kosovë dhe ka të drejtë, pavarësisht nga funksioni ministror që mban, të qarkullojë brenda territorit.
“Ky është një ilustrim se në Kosovë nuk ekziston liria e qarkullimit dhe se serbëve të këtushëm, banorëve të Kosovës, rrjedhimisht edhe mua, na cungohet e drejta themelore për të qarkulluar lirshëm”, ka thënë Bogdanoviç. Ai ka insistuar që Policia e Kosovës ta kthejë në veri të vendit, por autoritetet e rendit e kanë dërguar atë në vendkalimin kufitar Merdare, në verilindje të Kosovës, e cila kontrollohet totalisht nga autoritetet e Kosovës, ndërsa pjesa e veriut vetëm nga EULEX-i. Para dy ditësh, në Komunën Sterpçe ishte caktuar ceremonia e instalimit të kreut të ri të pushtetit lokal, Bradisllav Nikoliç. Por ministri serb, i cili mbulon Kosovën në qeverinë e Mirko Cvektoviçit, ka udhëtuar për ta prishur këtë akt solemn, duke zhvilluar takime me udhëheqësin e strukturave paralele të Serbisë në këtë komunë, Zvonko Mihajloviç. Ky i fundit, nga Beogradi njihet si kryetar i Kuvendit komunal të Shtërpcës.
Por Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në konsultim edhe me ndërkombëtarët, ka urdhëruar menjëherë pezullimin e aktivitetit që në fakt synonte sabotimin e pushtetit të zgjedhur. Bogdanoviç nuk është ndaluar si qytetar i Kosovës, pasi ai ka lindur dhe është pjesëtar i pakicës serbe, por është larguar në momentin kur po vepronte si zyrtar i një shteti tjetër. Ndërsa me Tadiçin qeveria e Kosovës u soll mirë, ngaqë edhe Presidenti serb lëshoi vetëm mesazhe fetare, Prishtina zyrtare ka ndërmarrë një akt force ndaj një ministri të Beogradit, i cili guxoi të përdhosë pushtetin e ardhur me votën e lirë të 15 nëntorit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›