E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, prokuroria nis verifikimin

Dokumentet e KESH-it për prurjet dhe shkarkimet në hidrocentrale do të kalojnë në “sitë” nga akuza e Shkodrës

Dy javë pas përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës, prokuroria e këtij qyteti, me urdhër nga akuza qendrore, fillon të lëvizë për të verifikuar dokumentacionin e KESH-it që lidhet me vendimet për hapjen e portave. Burime nga Prokuroria e Shkodrës deklarojnë se procesi është në fazën e verifikimit të dokumentacionit dhe jo të hetimit, pasi situata është ende emergjente, ku parësore është shmangia e një tragjedie. Të dhënat nga akuza flasin se ka nisur edhe verifikimi i dokumentacionit që disponon Korporata Elektroenergjetike Shqiptare rreth situatës së krijuar si pasojë e përmbytjeve.
“Do të verifikohet dokumentacioni i KESH-it që lidhet me vendimet për hapjen e portave, apo dhe dokumentacioni që ka të bëjë me zbatimin e rregullores së digave. Konkretisht po verifikohet dokumentacioni që ka të bëjë me rregulloren e hapjes së portave të shkarkimit, kohën kur janë hapur këto porta dhe niveli në të cilën ndodhej kaskada e Drinit në momentin kur është vendosur shkarkimi”, thanë burimet nga Prokuroria e Shkodrës. Sipas tyre, verifikimi i dokumentacionit do t’u krijonte një ide më të qartë drejtuesve të Prokurorisë së Shkodrës, për të kuptuar nëse ka pasur vonesa apo jo në vendimin për hapjen e portave të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Nëse do të konstatohet se ka pasur shkelje në dokumentacion dhe shkelje për sa i përket zbatimit të rregullores së digave, atëherë organi i akuzës do të kishte të drejtën të niste hetimet rreth përmbytjeve masive në zonën e Shkodrës.
Prokuroria do të kërkojë të verifikohet nga secili prej institucioneve që kanë përgjegjësi për situatën që të japin raporte për procedurat që janë ndjekur dhe rregulloret që duhet të zbatonte gjithsecili prej tyre. “U janë dërguar shkresa hidrocentraleve dhe Korporatës Energjetike Shqiptare, e pasi këto raporte të grumbullohen, do të vendoset nëse do të fillojë një hetim i hollësishëm”, thanë burimet. Sipas tyre, nëse të dhënat flasin për abuzime apo gabime, verifikimet do të përqendrohen te marrja në pyetje e personave konkretë, siç mund të jenë drejtuesit e hidrocentraleve apo edhe zyrtarë të KESH-it, si dhe të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës. Megjithatë, organi i Prokurorisë së Shkodrës do vendosë për hetimet sapo të kalojë faza e emergjencës, ndërsa të dhënat do të bëhen publike, pasi ngjarja ka interes publik.
Ndërkaq, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme nuk ka ndonjë reagim zyrtar rreth këtyre verifikimeve, megjithëse opozita i ka bërë thirrje të hetojë përgjegjësinë, sipas tyre, të mazhorancës për përmbytjet në veri të Shqipërisë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›