Thaçi dënon dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dënoi dhunën e ushtruar mbi ushtarët e forcës paqëruajtëse të KFOR-it nga ana e pjesëtarëve të strukturave kriminale në veri, ndërsa theksoi se përshkallëzimi i dhunës nuk është në interes të askujt.
Kreu i ekzekutivit kosovar vlerësoi se operacioni për largimin e barrikadave dhe lirimin e rrugëve në veri hyn në kuadër të përkushtimeve institucionale të Republikës së Kosovës për të garantuar lirinë e plotë të lëvizjes, vendosjen e rendit dhe ligjit, për të krijuar siguri, paqe, integrim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në pjesën veriore të vendit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson lart përkushtimin e vazhdueshëm të forcave të KFOR-it dhe EULEX-it, që në kuadër të mandatit të tyre, po përmbushin angazhimet për vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pjesën veriore të vendit”, thekon në një deklaratë për mediat kryeministri Thaçi.